Ne e plotësuam dëshirën e prokurores speciale, Katica Janeva, dhe zgjodhëm shtatë prokurorë, të cilët ajo i donte. Shatë të tjerë janë vetëm si rezervë, deklaroi sot kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Petar Anevski, pas mosmbajtjes së seancës ku prokurorët duhej të jepnin betim.”Kjo nuk ka të bëjë me asnjë politikë dhe inat, sikur nuk duam t’i miratojmë Janevës edhe shtatë prokurorë të tjerë. Do të miratohen, atëherë kur do të krijohen kushte për atë. Por, ky është qëndrimi im. Kjo nuk do të thotë se nëse kemi seancë për atë dhe nëse votohet… Nuk e di si do të bëhet“, tha Anevski.
Ai konfirmoi se sot e ka marrë letrën e partive politike, të cilat kërkojnë nga Këshilli të zgjidhen të gjithë 14 kandidatët e propozuar. Thotë se nuk mendon të japë dorëheqje nëse nesër Këshilli vepron sipas kërkesës së partive. “Unë do të them çfarë mendoj dhe nuk do të lëshoj pe ndaj asnjë lloj presioni politik. Absolutisht. Kjo është një situatë specifike dhe unë nuk ndiej nevojë se duhet të jap dorëheqje. Do të mbahet seancë ku do të tregojmë argumentet tona. Do t’ju thërrasim përsëri dhe do të dini rreth të gjithave që ndodhin“, theksoi Anevski.
Anevski pohon se arsyeja e vetme për moszgjidhjen e të gjithë 14 prokurorëve janë kushtet e këqija për punë në prokuroritë tjera dhe konflikti i interesave të kandidatëve të propozuar. “Ja, Lile Stefanova, e cila punon në prokurorinë për krim të organizuar, vetë në biografinë ka theksuar se punon në rastin “PUÇ”. Si ju duket kjo? Logjike? Ajo punon gjashtë muaj ose më shumë dhe tani do të transferohet në prokurorinë speciale. Unë nuk e shoh logjikën“, vlerësoi ai.
Të premten e kaluar, Këshilli i Prokurorëve Publikë reagoi rreth thirrjes së Janevës, shtatë prokurorët e zgjedhur të mos japin betim. Ata e vlerësuan kërkesën e këtillë si kërkesë joparimore dhe si bërje të presionit shtesë mbi anëtarët e Këshillit.
Iskra Opetçeska
