Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Anxhela Ageler përmes Twitterit ka treguar se në vend ka ardhur një ekip amerikan i sanksioneve për të parë se si qëndron puna me ndjekjet e të korruptuarve.
“Ekipi i Sanksioneve nga Uashingtoni është këtu për një vështrim më agresiv ndaj aktorëve të korruptuar, të kaluar dhe aktual, dhe për të konsideruar të gjitha përgjigjet e mundshme. Sektori i drejtësisë i Maqedonisë së Veriut ka nevojë për më shumë hetime, ndjekje penale për të treguar se askush nuk është mbi ligjin”, tha Anxhela Ageler, ambasadore e SHBA-ve në RMV.
Se korrupsioni në Maqedoni të Veriut është një fenomen që nuk po i shihet fundit e kanë vënë re edhe shumë diplomatë të tjerë në vend. Jo më larg se dje, ambasadorja gjermane Anke Holashtajn tha se lufta kundër korrupsionit është detyrë e vështirë, por përveç politikanëve, një thirrje ua drejtoi edhe qytetarëve.
“Kjo nuk vlen vetëm për politikanët por për të gjithë njerëzit, të cilët duhet ta kuptojnë që kur të shkojnë në mjek nuk duhet të fusin ndonjë kartëmonedhë në mantelin e mjekut, ose mësuesja nuk duhet të pranojë dhuratë për 8 Mars që nxënësi të ketë notë më të mirë. Të gjithë duhet të mësojnë, të vegjlit dhe të rriturit, se si të luftohet korrupsioni”, theksoi Anke Holshtajn, ambasadore e Gjermanisë në RMV (05.12.2022).
Raporti i “Transparency International” për vitin 2021 tregoi se ka përparim në luftën kundër korrupsionit, përkatësisht vendi është ngjitur për 24 vende. Renditet e 87-ta nga 180 vende. Megjithatë korrupsioni vazhdon të mbetet shqetësim, jo vetëm për qytetarët por edhe për investimet e mëdha ekonomike.
