Të dielën mbrëma rreth orës 22:00, shpërtheu linja e ujësjellësit të qytetit në Vllae. Sot, ekipet e NP “Ujësjellës dhe Kanalizim – Shkup” e riparuan defektin. Buldozeri i madh, me shumë saktësi ndërmjet disa kabllove, arriti të heqë pjesën e dëmtuar.
“12 orë pasi shpërtheu tubi F-600, ekipet e ‘Ujësjellës dhe Kanalizim’ po punojnë në sanimin e defektit. Në këtë moment po hiqen pjesët e vjetra të tubit dhe planifikohet të vendoset pjesa e re, e cila do ta normalizojë plotësisht furnizimin me ujë në qytetin e Shkupit”, raporton Goran Temenugov, gazetar.
Banorët që jetojnë pranë tubit që shpërtheu në rrugë thonë se defekti ishte si një shpërthim dhe se kjo ndodhi rreth orës 21:30.
“Ishte si të kishte hedhur dikush një bombë dhe filloi të buçiste. Dolëm këtu te Vardari, pamë që kishte ujë dy metra në ajër dhe se rruga ishte përmbytur, ndërsa uji shkonte drejt Vardarit, kah keji. Filloi ta gërryente kejin.”
Qytetarët njoftuan “Ujësjellës dhe Kanalizim”, pas çka ekipet dolën në terren dhe filloi riparimi i defektit. Uji u ndërpre dhe në këtë rajon u ndal rreth orës 23:00. Disa orë më vonë u rikthye me presion të ulët.
Nga NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” për defektin indirekt fajësuan “Elektrodistribuimin”.
“Për shkak të disa ndërprerjeve të shkurtra të furnizimit me energji elektrike në rajonin pranë puseve të Lepencit, është shkaktuar variacion i presionit në sistemin e pompimit nga puset drejt tubacionit kryesor të qytetit, nga ku furnizohet sistemi i ujësjellësit. Si rezultat i ndërprerjeve në rrjetin elektrik, kanë ndodhur dy defekte njëkohësisht në linjën kryesore të ujësjellësit F-600, si dhe një defekt në një pusetë të F-400 në njërin prej puseve”, thonë nga NP “Ujësjellës dhe Kanalizim – Shkup”.
E nga “Elektrodistribuimi” thonë se kjo nuk është e vërtetë. Furnizimi ka qenë në përputhje dhe brenda standardeve të përcaktuara, dhe nuk janë regjistruar asnjë devijim.
“Defekti në kabllon ndërmjet nënstacionit ‘Vllae 2’ dhe nënstacionit ‘Vllae 1’ ndodhi në orën 18:18 të dielën më 05.10.2025. Gjatë lokalizimit të defektit janë bërë ndërprerje në daljen ‘Karposh’ dhe në një pjesë të daljes ‘Vllae’. Sanimi i defektit përfundoi në orën 20:50 nga ekipet e Elektrodistribuimit. Ndërprerja e furnizimit me ujë ndodhi më shumë se një orë pas përfundimit të sanimit nga ekipet e Elektrodistribuimit, pra rreth orës 22:00”, theksojnë nga Elektrodistribucioni.
Për fat të keq, drejtori i NP “Ujësjellës dhe Kanalizim – Shkup”, Toni Minovski, nuk iu përgjigj telefonatave për t’iu përgjigjur disa pyetjeve, ndër të cilat edhe nëse pajisjet rreth puseve kanë mbrojtje nga tensioni. Ndërkohë, ndërsa ekipi i TV21 ishte në terren, në vendin e ngjarjes u paraqitën inspektime nga Qyteti i Shkupit. Ata ishin të rezervuar, por filluan të kontrollonin objektet përreth që janë në ndërtim.
“Ja, e shihni vetë ndërtesën ku është, vijnë mikserët, vijnë pompat, nëpër gjithë rrugën janë. Dhe po fundoset asfalti.”
Banorët thonë se këto tuba janë ndërruar në fillim të viteve ’90, por se rrugica vitet e fundit është jashtëzakonisht e frekuentuar dhe nëpër të kalojnë automjete të rënda transportuese.