Edukatoret e dyshuara për dhunë po intervistohen nga policia e Kosovës

TË FUNDIT

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Fushë-Kosovë, Fatlum Berisha, ka deklaruar se do t’i pezullojnë edukatoret që dyshohet se u përfshinë në rrahjen e një fëmijë në çerdhen publike “Gëzimi Ynë”.

Sipas tij, edukatoret po intervistohen në Policinë e Kosovës, e pas kësaj, do të pezullohen.

“Nuk jam ekspert ta cilësoj atë si dhunë, por do ta respektojmë ligjin. Si DKA do t’i marrim të gjitha masat. Unë qëndroj prapa organeve kompetente. Nuk i kemi pezulluar këto edukatore, por do të pezullohen…Patjetër do të respektojmë ligjin dhe do t’i pezullojmë edukatorët”, ka thënë Berisha para mediave të martën.

Drejtori i Arsimit ka theksuar se për rastin është njoftuar nga drejtoresha e çerdhes publike.

“DKA-ja është informuar nga drejtoresha e çerdhes…Për hapat në vazhdim do të jemi në bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente. Policia e Kosovës i ka bërë ftesën edukatorëve që dyshohet se janë të përfshira, janë duke u intervistuar akterët që dyshohet se janë në rast. Policia ishte këtu, kanë sekuestruar edhe pajisje të kamerave, për hapa në vazhdim do të jemi në bashkëpunim. Këtu s’ka të bëjë me kompetenca të drejtorit, por me respektim të ligjit”, ka shtuar ai.