Edon Zhegrova “shpërthen” me akuza pas mungesës në Kombëtaren e Kosovës

TË FUNDIT

Anësori i Kosovës, Edon Zhegrova ka lëshuar të mërkurën mbrëmja një deklaratë sa bombastike aq edhe shokuese që ka të bëjë me mos-ftesën e tij për dy ndeshjet e radhës së Kosovës në kualifikimet e Kampionatit Evropian, ato ndaj Zvicrës dhe Bjellorusisë.

Zhegrova mungoi në fitoren ndaj Izraelit për shkak se klubi francez për të cilin luan, Lille nuk e liroi pasi kishte ndeshje kampionale, dhe më pas u raportua se ai nuk u ftua fare nga trajneri i Kosovës Primoz Gliha me arsyetimin se “nuk na duhesh as për këto dy sfida”.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Zhegrova ka hedhur akuza të rënda ndaj, siç ka thënë ai “disa personave në kombëtare”, duke shtuar se ndaj tij janë bërë thashetheme dhe intriga të shumta.

“U rrita në Prishtinë me ëndrrën që një ditë do të luajë për Kombëtaren time. Edhe pse deri sa e krijuam Kombëtaren e Kosovës, mua mu ofruan shumë oferta, shumë joshje të jem diku tjetër, por për mua ishte vetëm një ëndërr, të luajë për atdheun tim, për Kosovën. Me muaj të tërë më kanë joshur tjerët me lloj-lloj oferte, ndërsa për Kosovën kam vendosur për 1 minutë bisedë me të ndjerin Fadil Vokrri, sepse e kam dëgjuar zemrën. Të dashur tifozë, ditët e fundit erdha në pikëpyetje të luajë apo mos të luajë nga njerëz brenda kombëtares, ata që vendosin për fatin e Kosovës në forma individuale dhe asnjëherë zyrtare. Të them të vërtetën, shumë herë isha pengesë e disa personave në kombëtare dhe thashethemet ishin drejtuar kundrejt meje shpesh por nuk kam folur asnjëherë vetëm të mos e prishi harmoninë e kombëtares, sepse kombëtarja është mbi të gjithë, mbi intrigat e thashethemet e njerëzve amatorë kundrejt meje. Ndeshjen e fundit nuk pata mundësi të jem pjesë e Kosovës për arsye tashmë të njohura pavarësisht dëshirës time të madhe. Ua kam bërë të ditur që për ndeshjet tjera dua të jem aty të ndihmojë kombëtaren me vullnetin maksimal por përgjigja e tyre ishte: Nëse nuk vjen këtë ndeshje, harroji edhe ndeshjet tjera, nuk po na duhesh.”, ka shkruar Zhegrova.

Ai më tutje ka potencuar se është në formën më të mirë dhe i gatshëm për të dhënë gjithçka kombëtaren.

“E çuditshme, sepse jam në formën më të mirë dhe dua të kontribuoj dhe të sakrifikojë gjithçka për Kombëtaren time. Njerëzit në kombëtare e dinë, që unë shpesh kam luajtur i lënduar dhe kam sakrifikuar edhe karrierën për fanellën e Kosovës. Ndaj Rumanisë, kam ardhur, kam luajtur ‘me një këmbë’, dhe asnjëherë nuk jam ankuar sepse këtë e bëj për nderin e shtetit dhe popullit dhe jo për njerëzit injorantë që bëjnë kalkulime dhe nuk ja duan të mirën e vendit! Shumë njerëz dhe dashamirë të mi më shkruajtën dhe më pyetën prandaj desha të jap këtë sqarim. Dhe asnjëherë nuk do të heshti ndaj padrejtësive. Unë kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë ‘Biri yt, Kosovë’.”, ka shkruar Zhegrova në fund.

Ndryshe, sfidën e radhës Kosova e zhvillon të shtunën kundër Zvicrës.