Edi Rama sot për vizitë zyrtare në Kosovë

TË FUNDIT

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë ditës së sotme pritet të shkojë për vizitë zyrtare në Kosovë. Shefi i qeverisë shqiptare do të ketë sot dhe nesër takime me krerë të shtetit dhe politikës në Kosovë.

Fillimisht është paralajmëruar takimi me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në ora 13:15. Më pas, Rama do të takojë edhe kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani në ora 15:00. Në ora 16:00 pritet të takojë kryeministrin Avdullah Hoti. Ndërsa në ora 18:00 kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli. Ndërsa në fund të ditës së sotme, në ora 18:50 do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, raporton kp.

Vizita e Ramës në Kosovë vjen pas zhillimeve të fundit me ngritjen e aktakuzës nga Gjykata Speciale për presidentin e vendit Hashim Thaçin dhe kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin.

Rama ka shprehur indinjatën e tij kundër aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe disa të tjerëve, të akuzuar për krime lufte, duke e konsideruar aktakuzën si një sulm ndaj Kosovës, shqiptarisë dhe trashëgimisë së luftës së UÇK-së.