Për nder të 24 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, njësitet Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, u rreshtuan në kazermën “Adem Jashari”.
Ceremonia filloi me intonimin e himnit shtetëror dhe atij kombëtar nga orkestra frymore e FSK-së dhe vijoi më pas me nderimet te Obelisku i Lirisë.
Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se familja Jashari është portreti i lirisë së Kosovës. Bëri të qartë dhe një herë se anëtarësimi në NATO mbetet synim strategjik i shtetit tonë.
“Me 5,6, 7 mars të vitit 1998 rezistenca e familjes Jashari ishte thirrje për mobilizim të të gjithë popullit për t’i dhënë fund robërisë, për ta kthyer dinjitetin në vend dhe për ta dërguar mesazhin se liria nuk ka çmim. Duke refuzuar nënshtrimin komandanti legjendar Adem Jashari bashkë me familjarët e tjerë dhe bashkëfshatarë ranë heroikisht në mbrojtje të atdheut. Ky sakrifikim i familjes Jashari me bashkëfshatarë e bashkëluftëtarë u bë guri themeltar i lirisë së shtetit tonë. Kjo familje është portreti i lirisë sonë e cila ishte e zorshme për tu arritur, për të cilën u deshtë shumë mund. Ushtria jonë në këtë proces po zhvillohet edhe më tej si forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s. Prandaj, e them sërish siç e kemi thënë në këto 14 vite, anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë, ndaj anëtarësimi në Aleancën Veri-Atlantike tani është më i domosdoshëm se kurrë dhe është parakusht për paqe në rajon”, tha Osmani.
Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova i dhuroi botës aktin më të pashembullt, familjen Jashari. Theksoi se tash kur po ndodhë pushtimi i Ukrainës është edhe më e qartë vlera dhe rëndësia e Epopesë së UÇK-së.
“Jasharët na dëshmuan se vullneti e sjell subjektivitetin. UÇK e çliroi Kosovën, jemi të qartë për këtë pikë. Këto ditë të planetit kur jemi dëshmitar të pushtimit të Ukrainës na sjellin edhe më të qartë vlerën dhe rëndësinë e epopesë së UÇK-së. Vullneti i Ukrainës do ta bëjë të mundur kthjelltësinë e shprehjes botërore. Sot Ukraina mund ta kuptojë Kosovën dhe epopenë e luftën e saj. Urojmë që Ukraina mos të jetë as Bosnje, as Kosovë. Të mos ketë pastrim etnik, as të zhdukur me dhunë, as dhunime seksuale”, u shpreh Kurti.
Përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, në këtë përvjetor tha se ndjehet krenar kur sheh Forcën e Sigurisë së Kosovës. Edhe me këtë rast bëri thirrje për unitet.
“Është kënaqësi kur i shoh ushtrinë e Republikës së Kosovës të rreshtuar. Duke falënderuar Zotin, SHBA-në, NATO-n dhe të gjitha shtetet mike, ne sot e arritëm 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe kjo do të qëndrojë për vite. Gjithmonë do të jemi bashkë dhe krenarë, dhimbjen do ta hedhim sepse liria i mund të gjitha, vetëm duhet të kemi gjuhë të përbashkët, të bashkëpunojmë që t’i arrijmë qëllimet shekullore…”, deklaroi Jashari.
Epopeja e Ushtrisë Clirimtare e Kosovës që filloi sot do të zgjasë deri më 7 mars, kur mbahet Nata e Zjarreve./RTV21
