“Edhe te bursat u ngelën sytë”, “Duam studime falas”, këto ishin disa nga shkrimet që i mbanin në duar studentët të cilët protestuan para Ministrisë së Arsimit, për shkak mos pagesës së bursave.
Por derisa ata protestonin nga Qeveria njoftuan se bursat janë paguar. Studentët vlerësojnë se Ministria e Arsimit i ka neglizhuar, pasi siç thonë në ditën e protestës u kanë paguar bursat studentore, ndërsa është dashur çdo muaj t’ua lëshojnë të hollat. Ata poashtu kërkojnë të ketë investime në infrastrukturën e konvikteve, pasi siç thonë janë në gjendje të mjerueshme.
“Ministri ka pritur ditën e fundit kur e ka parë që një numër i madh i studentëve do të protestojnë, dhe ka menduar që duke i paguar ditën e fundit, do të qetësohen studentët dhe nuk do të protestojnë.”- deklaroi Blendi Hodai -student.
“Sa i përket çfarë na ka bërë Ministria e Arsimit deri sot, gati ka 3 muaj që është vonuar pagesa e bursës për ne studentët, ka një lojë tjetër e cila është shujta e studentëve e cila nuk po paguhet dhe rimbursohet në formën e duhur. Ministri vetë e pohoj dhe e premtoj atë që do ta paguajë një herë në javë do t’i lëshoj të hollat, mirëpo ënde vazhdon forma e vjetër e rimbursimit e cila është qesharake me nga 140 denarë në ditë.”- tha Arbnor Maliqi Student.
Ministri Jeton Shaqiri bëri të ditur se me buxhetin e ri të vitit 2024 janë paguar bursat e muajve më parë. Ndërsa për rikonstruimin e konvikteve ai deklaroi se do të bëjnë kërkesë tek komuna Qendër që të marrin vendim të plotfuqishëm për ndërtim.
“Kur nënshkruam marrëveshjen me Qeverinë për konviktet studentore, me kërkesën time pas nënshkrimit të marrëveshjes, kemi pasur komunikim të rregullt në atë takim që kishte më shumë përfaqësues, të universiteteve të ndryshme dhe diskutimi për pagesën e bursave, për këtë që sot studentët i kanë marrë, në atë periudhë, unë si ministër i u shpjegova të gjitha afatet kohore ligjore se si duhet të mbarojë pagesa. Atë që e kam thënë në atë takim, mund ta vërtetoni te kryetari i kuvendit të USHKM që afati më i hershëm i mundshëm, në fund të Janarit dhe në fillim të Shkurtit për bursat e mëparshme do të paguhen.”- deklaroi Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Përndryshe organizator i protestës është kuvendi studentor i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, përkrahje kishin edhe nga Universiteti “Nënë Tereza”, “Goce Dellçev”, nga universitetet private “Fon” dhe Kolegji Amerikan. Në protestë u bashkëngjiten edhe organizata joformale “Rezistenca studentore”.
