Pasi u refuzua nisma e VMRO-DPMNE-së për zbatimin e referendumit për propozimin francez, tema për mbajtjen e tij kthehet në opinion publik pas informacioneve të “Së Majtës” se janë grumbulluar 100 nënshkrimet e nevojshme që e njëjta të gjendet në Kuvend. Mbi këtë u debatua edhe në emisionin “Clik Plus” në TV21 ku analisti Ivo Rangelloviq vlerësoi se kjo nismë është e vonuar dhe se vetë ideja për këtë është e gabuar sidomos pasi propozimi francez u votua në Kuvend.
“Kjo nismë për referendum është akt i vonuar. Për momentin nuk ka asnjë logjikë të bëni thirrje për referendum pasi u pranua propozimi francez. Esenca e referendumit nuk është nëse do të kalojë, JO ose PO. Esenca është nëse i njëjti duhet të mbahet. Të supozojmë se do të mbahet dhe se do t’i jetë në favor opozitës, përkatësisht të themi se refuzojmë që t’i fusim bullgarët në Kushtetutë. Në atë rast, automatikisht ne e pengojmë veten në rrugën drejt BE-së”, tha analisti Ivo Rangelloviq.
Ish-deputeti Pavle Bogoevski mendon se as VMRO-DPMNE e as “E Majta” nuk kanë për qëllim që ta dëgjojnë zërin e popullit por se atë e bëjnë për pikë politike.
“Edhe Mickoski edhe Apasiev kishin deklaratë se pa marrë parasysh rezultatet e referendumit ata do të vazhdojnë me politikat e tyre. Mickoski, pasi e dënoi Marrëveshjen me Bullgarinë tha se pa marrë parasysh rezultatet e referendumit, VMRO-DPMNE nuk do të votojë për futjen e bullgarëve në Kushtetutë, ndërsa Apasiev tha se pa marrë parasysh rezultatet, çdo qeveri e ardhshme ka të drejtë që të anulojë çfarëdolloj marrëveshjeje, përkatësisht tregojnë se do ta bëjnë në mënyrë pro-formë. Mendoj se qëllimi i vërtetë i referendumit është mobilizimi i elektoratit të përgjithshëm. Sipas meje problemi më i madh për të dyja nismat për referendum është që ishin jo serioze, joevropiane, jodemokratike dhe populiste”, tha ish deputeti Pavle Bogoevski.
Nisma e VMRO-DPMNE-së për mbajtjen e referendumit me pyetje për shfuqizimin e vlefshmërisë së Marrëveshjes me Bullgarinë, muajin e kaluar, u hodh poshtë nga ana e kryeparlamentarit Talat Xhaferi me arsyetim se është thënë se marrëveshjet ndërkombëtare janë ratifikuar sipas Kushtetutës dhe janë pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe nuk mund të ndryshohen me ligj.
