Pothuajse dy muaj, shumë nxënës ndjekin mësim me skripta të shtypura dhe pa tekste shkollore. Për këtë shteti ka shpenzuar rreth 640 mijë euro para që i ka marrë si kredi nga Banka Botërore, të cilat do të duhet të kthehen. Nga VMRO-DPMNE-ja edhe sot me kritika për shpenzimin joracional të parave dhe mossigurimin e teksteve shkollore në kohë.
“Këto të ashtuquajtura skripta janë një përmbledhje materialesh, të cilat pushteti arriti t’i sublimojë nga tekstet shkollore të vitit të kaluar dhe një pjesë nga tekstet e reja. Libri ka njëqind faqe ka përmbajtje që është përmbledhje nga tekstet tashmë ekzistuese të vitit të kaluar. Këto janë të njëjtat materiale për të cilat autorët tashmë kanë marrë para dhe janë të njëjtat materiale me të cilat të njëjtët autorë konkurruan për zgjedhjen e një teksti shkollor, dhe për këtë do të paguhen sërish. Një punë, një punim që paguhet dy herë“, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
Ministria e Arsimit së fundmi përmes një kumtese bëri me dije se deri më tani janë miratuar 73 tekste shkollore për arsimin e mesëm. Nga ana tjetër, ministri Jeton Shaqiri, në një intervistë për “Meta”, u arsyetua se procesi i përpunimit të librave ishte kompleks, prandaj nuk kanë arritur t’i sigurojnë në kohë. Megjithatë, ai shton se materialet u janë siguruar nxënësve dhe se së shpejti do të shtypen tekstet deri në klasën e katërt, ndërsa për klasat e tjera do të shtypen në mënyrë shtesë.
“Shpresoj se vitin e ardhshëm të kemi ndryshime në zgjidhjen ligjore. Do të thjeshtohen segmente të caktuara dhe situata të tilla nuk do të ndodhin më. Megjithatë, do të shpreh kënaqësinë time që tekstet e reja shkollore për klasën e parë, të dytë, të katërt dhe të pestë për të cilat ka programe të reja mësimore, tashmë janë duke u shtypur dhe nxënësit do t’i kenë deri në dispozicion deri në fund të këtij muaji. Ata nuk kanë mbetur pa libra dhe kanë materiale cilësore mësimore”, deklaroi
Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit.
Përveç teksteve shkollore, këtë vit vonuan edhe dëftesat, të cilat nxënësit i morën në fillim të vitit të ri shkollor. Ministri Shaqiri edhe për këtë situatë fajin ia hodhi Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, nga e cila, siç tha, është kërkuar përgjegjësi.
