Edhe pas denoncimeve, fëmijët e njëjtë në rrugë! Për Trençevskën kjo tregon se po punohet, protokolli zbatohet vazhdimisht

TË FUNDIT

Çdo ditë, në të njëjtat vende sheh të njëjtët fëmijë që kërkojnë lëmoshë. Edhe pse TV21 paraqiti një rast të tillë në Qendrën Sociale, i njëjti fëmijë përsëri haset në rrugë duke kërkuar lëmoshë. E pyetur nëse ky rast tregon se protokollet që zbatohen nuk po funksionojnë, ministrja e punës dhe politikës sociale mendon të kundërtën.

-Jo kjo është tregues se po punohet, largohen fëmijët nga rrugët sepse ka në disa lokacione më të frekuentuara dhe shërbimet nga Qendra Sociale bashkë me MPB-në, Kryqin e Kuq dhe disa organizata qytetare janë gjatë gjithë kohës në terren, megjithatë fëmijët përsëri kthehen në të njëjtat rrugë.

-Protokolli ekziston dhe po zbatohet, deklaroi Jovana Trençevska – ministre e Punës dhe Politikës Sociale. 

-Po, por nuk po funksionon. Fëmijët po i shohim në të njëjtat rrugë.

-Domethënë nuk i shohim gjatë tërë kohës, ka periudha kur dalin në rrugë, tha Jovana Trençevska – ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Ministrja Trençevska pati paralajmëruar se gjatë dimrit do të ketë më shumë ekipe në terren, por pa u përgjigjur konkretisht sot përsëriti  të njëjtën që pati thënë para një muaji.

“Dhe nuk është qëllimi t’i marrim këta fëmijë nga prindërit apo t’i dërgojmë në familje kujdestare. Qëllimi është të punojmë në mënyrë paralele edhe më prindërit për të ngritur vetëdijen se vendi i fëmijëve është në shkollë, në procesin e edukimit, e jo në rrugë”, deklaroi Jovana Trençevska – ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Përndryshe, organizata të ndryshme joqeveritare hedhin dyshime se fëmijët që kërkojnë lëmoshë në rrugë në të shumtën e rasteve keqpërdoren nga grupe të organizuara kriminele, e jo nga familjet e tyre.