Si do të duket perspektiva evropiane e vendit tonë në vitin 2021? Pasi në fund të vitit që e lamë pas, u shuan të gjitha shpresat me bllokadën për start të negociatave që e vendosi Bullgaria, është e pasigurt deri kur do të qëndrojmë të bllokuar para derës së BE-së. Presidenca e BE-së prej dje është në duart e Portugalisë, për të cilën zgjerimi nuk është prioritet. Ministri gjerman për Evropë, në një intervistë paralajmëroi se nuk është mirë që Ballkani Perëndimor të lihet në vakum.
“Urgjentisht na duhen sinjale pozitive për Ballkanin Perëndimor. Nëse Bashkimi Evropian lë një vakum në Ballkanin Perëndimor, atëherë forca të tjera që nuk ndajnë vlerat demokratike të Unionit, do të plotësojnë këtë vakum për arsye gjeostrategjike. Po qëllojmë veten tonë në këmbë”, deklaroi Mihael Rot – Ministër gjerman për Evropë.
Ambasadori i ri francez në vend, Siril Bomgartner, në intervistën e tij të parë për “Klik Plus” të TV21, tha se situata e këtillë me bllokadën bullgare, e cila nuk dihet sa kohë do të zgjasë, do të jetë faktor i cili mund të ndikojë mbi stabilitetin e rajonit.
“Do të thotë se në këtë situatë me bllokadën, kjo do të jetë një faktor që ndikon mbi paqëndrueshmërinë në këtë pjesë të botës. Prandaj, interesi evropian është duke u përforcuar me qëllim që të arrihet një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur”, theksoi Siril Bimgartner – Ambasador i Francës.
Kryeministri Zoran Zaev gjatë prezantimit të programit qeveritar “Aksioni 21”, nuk i kushtoi shumë vëmendje çështjes për fillim të negociatave, por përsëriti se aderimi mbetet prioriteti ynë. Ai tha se edhe pse Bashkimi Evropian dërgoi sinjal të keq për zgjerimin, Qeveria nuk do të heqë dorë nga rruga evropiane dhe se do të angazhohet për t’i sjellë standardet evropiane në vend.
