Edhe Fronti Europian do të ketë kandidatin e tyre për Qytetin e Shkupit. Këtë e bëri të ditur nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi, ndonëse nuk e tregoi emrin e kandidatit.
“Për Qytetin e Shkupit, BDI dhe koalicioni që ne e përbëjmë do të ketë kandidatin e vet. Ka mbetur që emrat e kandidatëve eshe për komunat tjera por dhe Shkupin që të konfirmohen nga organet partiake kështu që kur të kemi emër konkret me kohë do ta ndajmë me opinionin”, tha Arbër Ademi.
Ademi foli edhe për Taravarin, për të cilin tha se është pjesë e marrëveshjes me Ali Ahmetin për të kandiduar me lista të përbashkëta për këshilltarët komunal.
“Tashmë ka marrëveshje në mes FE. Në mes kryetarit Ahmeti dhe kryetarit Taravari, për pjesëmarrje tër përbashkët në këto zgjedhje”, tha Ademi.
Për këtë reagoi kryetari i LD-së Izet Mexhiti me çka tha se tani u zbulua qëllimi i Taravarit për tu shkëputur nga VLEN.
“Dua ta ngrit çështjen se z.Taravari u tërhoq me pretekstin se do të del me lista të veçanta dhe ky është problemi në kuadër të VLEN dhe sot po e dëgjoj që del me lista të përbashkëta të BDI-së. Nuk e ka pasur hallin e listave por nuk e ka ditur si të shkoj në prehërin e z.Ahmeti”, tha Mexhiti.
Nga VMRO DPMNE thonë se përzgjedhja e kandidatëve do të jetë e ditur pas 15 gushtit. Partia e Hristian Mickoskit deri më tani është përcaktuar që të ketë kandidat të përbashkët për Komunën Qendër dhe për Kumanovën me partinë ZNAM të Maksim Dimitrievskit, i cili do të rikandidojë për herë të tretë. Poashtu, kryeministri tha se në kuadër to koalicionit qeverisës do të bashkëpunojnë në lokale edhe me VLEN-in.
“Sa u përket partive politike që janë pjesë e koalicionit VLEN, gjithashtu kemi marrëveshje parimore se do të përkrehemi në ato komunat që ne do të kemi kandidat dhe ata nuk do të kenë, sikurse në ato komuna që ata do të kenë kandidat dhe ne nuk do të kemi. Ja të themi, se do të ketë komuna që të dy partitë politike do të kemi kandidatët e vet, atje normalisht secili do të udhëhiqet sipas strategjisë së vet dhe interesit vetanak”, tha Mickoski.
Ndryshe VMRO DPMNE në qytetin e Shkupit do të garojë me Orce Gjeorgjievskin, ndërsa LSDM me Kaja Shukova. Ndërkohë edhe VLEN ka paralajmëruar se do të ketë kandidatë.
Zgjedhjet lokale piritet të shpallen nga fillimi i gushtit, ndërsa si data më e përfolur është 19 tetori.
