Nëse Kosova bëhet anëtare e UNESCO-së do të sigurojë garanci shtesë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë, ka thënë koordinatori në bisedimet Kosovë–Serbi, Blerim Shala, në një deklaratë për mediat serbe.
Ai ka theksuar se ekziston një përshtypje e gabuar, pasi që ka garanci kushtetuese dhe ligjore për trashëgiminë kulturore serbe.
Shala ka folur edhe për Asociacionin e komunave serbe, duke thënë se ky asociacion nuk është kundër Kosovës. Sipas tij, Asociacioni është pjesë e vazhdimësisë së bisedimeve që është në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Unë pres që më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm Asociacioni i komunave me shumicë serbe të fillojë së funksionuari në shtrirjen e saj të plotë”, ka pohuar Shala.
Ai ka theksuar se formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës do të bëhen shumë shpejt.
“Kjo nuk është kundër interesave të popullit serb dhe shtetit të Serbisë. Ne do të kemi një ushtri moderne, e cila do të punojë ngushtë me NATO-n dhe nuk do të jetë armiqësore me Serbinë”, ka potencuar Shala.
