Edhe 21 viktima në konfliktin në Nagorno-Karabah

TË FUNDIT

Përfaqësuesit e armenëve etnikë në rajonin separatist të Nagorno-Karabahut në Azerbajxhan sot deklaruan se në luftimet me Azerbajxhanin janë vrarë edhe 21 ushtarë.

Me këtë, siç transmetojnë agjencitë e huaja, numri i përgjithshëm i viktimave të luftës së separatistëve ka arritur në 223 që nga fillimi i luftimeve, tetë ditë më parë.

Azerbajxhani përsëri e ka granatuar Nagorno-Karabahun, ndërsa një përfaqësues i separatistëve deklaroi se numri i të vdekurve civil është rritur në 18 që nga fillimi i luftimeve.

Azerbajxhani nuk i bën të ditura humbjet e tij ushtarake, por pretendon se ka humbur 25 civilë.