Ende nuk dihet saktë kamata e huas që do të merret nga Mbretëria e Bashkuar, përderisa nuk ka një projekt konkret, thotë ministrja e Financave Gordana Koçovska. Ajo shton se huamarrja prej 6 miliardë eurove ka një afat kohor prej 10 vitesh. Shton se paratë do të tërhiqen herë pas here kur një projekt kapital do të jetë i gatshëm për financim, për të cilin qeveria e Britanisë së Madhe do të garantojë, se Maqedonia e Veriut do t’i kthejë në kohë paratë bankave komerciale britanike.
“Tani në këtë moment unë nuk do të mund të flisja për më shumë detaje sepse nuk kemi projekt të gatshëm të dorëzuar në Ministrinë e Financave, në bazë të së cilit unë do të kërkoja oferta nga më shumë banka dhe të dilja të ju thosha sa është kamata e saktë. Askund nuk shkruan se jemi të obliguar për ti tërhequr të gjitha 5 miliard funte, për këtë arsye unë vazhdimisht theksoj se janë financime të projekteve, që nënkupton se do të ketë projekt të gatshëm”, tha Gordana Dimitrievska-Koçovska.
Përderisa sot në Londër u firmos vetëm memorandumi i bashkëpunimit, nga Oda Ekonomike thonë se në këto projekte do të marrin pjesë edhe kompanitë vendore për zbatimin e ndërtimeve të objekteve. Kreu i kësaj Ode, Branko Azeski në pritje të këtyre mjeteve vendosi edhe kapelën në stilin britanik, duke shpresuar se këto kredi do të jenë infuzion për kompanitë vendore të ndërtimtarisë. Ai tha se sa më shumë që këto projekte fitohen nga kompanitë vendore, paratë do të ngelen në ekonominë tonë.
“Do të jemi të kënaqur që kompanitë tona të marrinë punë, a do të jetë 70-65-55% nga hisja e punës, atë që do e marrin ta punojnë me cilësi të lartë dhe të kenë mundësi të konkurrojnë në projekte të tjera jashtë shtetit. Ne vlerësojmë se sektori i ndërtimtarisë në Maqedoni, posaçërisht në pjesën e ndërtimeve të ulëta kompanitë vendore ishin të lëna anësh dhe kryesisht kanë qenë si nënkontraktorë pa marr ndonjë projekt të rëndësisë së lartë”, tha Branko Azeski
Deri më tani është bërë e ditur se me këtë huamarrje do të financohet segmenti i tretë i Korridorit të hekurt 8, përkatësisht hekurudha drejt Bullgarisë, Spitali i Shtipit dhe Spitali i Kërçovës. Pritet që edhe Qendra e re Klinike Universitare “Nënë Tereza” në Shkup të projektohet në bazë të këtyre financave. Interesi i vetëm i britanikëve për këtë mbështetje thonë se do të jetë kamata e interesit dhe asnjë ndikimi tjetër ekonomiko-politik.
