E premtja shpallet ditë zie në Kosovë

TË FUNDIT

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur të premten, 25 mars, ditë zie, si shenjë nderimi pas vdekjes së ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

“Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tone, sepse edhe vetë e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Osmani në një deklaratë të lëshuar nga Presidenca.

Flamujt shtetërorë do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.