E mbyti bashkëshorten në formë brutale, aktakuzë për 67-vjeçarin nga Gostivari

TË FUNDIT

Pas procedurës hetimore, Prokuroria Publike e Gostivarit ka ngritur aktakuzë kundër një personi për kryerjen e veprës penale – Vrasje sipas nenit 123, paragrafi 1 dhe 2 nga Kodi Penal.

Rasti ka ndodhur më 9 shtator të vitit të kaluar, ku i akuzuari i moshës 67-vjeçare në mënyrë brutale dhe me paramendim e ka mbytur bashkëshorten e tij.

“Të dy një kohë të gjatë kanë pasur mosmarrëveshje, kurse në ditën kritike ai me sëpatë në duar ka hyrë në dhomën e ndejës ku ka qenë duke qëndruar bashkëshortja dhe ia ka dhënë disa goditje me sëpatë në pjesën e kokës. Pastaj e ka marrë thikën nga kuzhina, dhe është kthyer dhe i ka dhënë disa goditje edhe në bark. Pas kësaj i akuzuari menjëherë ka dalë nga shtëpia dhe me biçikletë e ka lëshuar vendin”, njoftojnë nga Prokuroria, transmeton TV21.

Prokuroria nga Gjykata Themelore në Gostivar ka kërkuar vazhdim të masës së paraburgimit, nën arsyetimin se 67-vjeçari mund të arratiset dhe ta pengojë procedurën penale duke ndikuar ndaj dëshmitarëve./TV21