Në programin e saj për Zgjedhjet Parlamentare 2020, partia “E Majta” në Maqedoni, synon tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, që Maqedonia e Veriut e ka bërë që në vitin 2008, kur Kosova u shpall shtet i pavarur.
Në programin e tyre të publikuar në faqen në internet, në pjesën e Diplomacisë, “E Majta” synon: “Tërheqje e njohjes së Kosovës, Izraelit dhe Koresë së Jugut”.

E nëse në njërën anë “Levica” kërkon tërheqjen e njoheve për këto shtete, përfshirë Kosovën, nga ana tjetër kërkon “njohjen e pavarësisë së Palestinës, Katalonias dhe Baskias”.
Kjo parti nuk pajtohet as me Marrëveshjen e Prespës, që zgjidhi kontestin thuajse 30-vjeçar mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.
“Anulim i të ashtuquajturës Marrëveshje e Prespës dhe fshirje e emrit nënçmues “e Veriut” nga Kushtetuta!” shkruhet në programin zgjedhor të kësaj partie.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2016, “E Majta” ka marrë 12.120 vota, pra 1,02% të votave./TV21
