Lindi dhe Venera, çifti më i dashur i publikut së shpejti pritet të bëhen prindër dhe këtë ndjesi ata e kanë shpërfaqur edhe në këngën “Mezi pres”.
Kënga është pritur shumë mirë dhe tashmë ka tejkaluar 2 milionë klikime në Youtube.
Lindi dhe Venera në këngë shprehin thellë ndjenjat e tyre për fëmijën që presin t’u vijë në jetë, por megjithatë, ajo ka hasur edhe në kritika.
Jo për përmbajtjen e këngës, por për dukjen e Veneres. E për këtë të fundit Venera ka reaguar në profilin e saj në Facebook.
“Nga një njoftim në Instagram, ku një mikja ime kishte komentuar, pashë një video virale të këngës “Mezi Pres” me shumë pëlqime, shikime dhe komente. U futa t’i shoh dhe gjeta aq shumë dashuri. Kishte edhe disa që ishin mërzitur me mua për shkak të modelit të flokëve.
Në fakt, sa më e madhe fama dhe ekspozimi, aq më të larmishme janë edhe mendimet. Shija, mendësia dhe vizioni janë të ndryshëm për secilin prej nesh. Për më tepër, asnjëherë nuk mund ta dimë se çfarë fshihet pas një njeriu që shfaqet i indinjuar pas ekranit të telefonit. Mendoj se ata kanë më shumë nevojë për dashuri se ne.
Le të jetë ky një mesazh për këdo, i njohur për publikun apo jo: kur dikush shfaq një nevojë të pashpjegueshme për të na thënë diçka jo të mirë, le ta bëjë. Ndihmoje, por kjo nuk duhet të trondisë kurrë muret e vetëbesimit tuaj. Asnjëherë.
“Bota është e madhe, në të ka vend për të gjithë.” Këtë ma ka mësuar babai kur isha e vogël.
Ajo që dëshiroja nga ky projekt ka tejkaluar çdo pritshmëri. Më duket sikur kam marrë një përqafim nga çdokush që e ka kuptuar këngën, sepse “Mezi Pres” nuk është thjesht një këngë, ajo më shëron. Të tjerat nuk më kanë shqetësuar kurrë.
E vetmja gjë që po më lë pa gjumë këto kohë janë goditjet e “dritës time” në bark, e ka nëna boksier!
Tani, le të festojmë 2 Milionshin tjetër”, ka shkruar Venera.