Koalicioni VLEN ka publikuar edhe dy raste të dyshimta të furnizimeve publike e të cilat janë fituar nga kompania Ritron Copy Dooel nga Kumanova, pronari i së cilës thonë se është nipi i bashkëshortes së deputetit nga radhët e Frontit Europian, Elmi Aziri. Përpos dy tenderëve të dyshimtë që i publikuan dje mes Lotarisë Shtetërore dhe kompanisë Ritron Dooel, sot njoftuan se njëjtë është vepruar edhe me Ministrinë për Sistem Politik. Këto tenderë, nga VLEN nuk i konsiderojnë si të rastësishme.
“Kompania Ritron Copy Dooel Imp.Exp, Kumanovë, pronari i së cilës është nipi i bashkëshortes të deputetit Elmi Aziri, në periudhën nëntë mujore të llogaritur nga qershori 2021, deri në mars 2022 ka pranuar dy tenderë nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrdhënie mes Bashkësive në krye me Artan Grubin kryelogjistik i Ali Ahmetit. Këta dy tenderë kanë të bëjnë me blerjen e pajisjeve informatike, vlera totale e të cilave 2.8 milion denarë”, u shpreh Bujare Abazi, VLEN.
I pyetur për këto akuza, deputeti Elmi Aziri i quan tregime ezopiane. I sheh si qëllim për t’i përjashtuar bizneset shqiptare nga pjesëmarrja në shpalljet publike.
“E shoh si një tendencë për ta sulmuar edhe biznesin shqiptar pas deshqiptarizimit masiv të institucioneve, pas skandaleve të njëpasnjëshme, si duket radhën e ka edhe biznesi shqiptar që të përjashtohet nga veprimtarit institucionale, që tu pamundësohet përmes frikës dhe kërcënimeve, qoftë edhe publike, tu pamundësohet të marrin pjesë në shpalljet publike gjithandej vendit, që janë të garantuara me ligj. Subjekti ekonomik në fjalë vepron para se unë të jem familjar i tyre. Është biznes i konsoliduar, ka punë të jashtëzakonshme edhe me sektorin privat por edhe me institucionet tjera publike”, tha Elmi Aziri , deputet i Frontit Europian.
Nga koalicioni VLEN paralajmëruan se këto dyshime për korrupsion nuk janë të fundit dhe thanë se do të vazhdojnë me publikimin e të tjerave edhe ditët në vazhdim.