Dyshime për keqpërdorim të fëmijëve si lypsarë/ Ministrja thotë se problemi s’mund të zgjidhet brenda ditës

TË FUNDIT

-Çfarë kërkon?

-Ndonjë denarë.

-A të ka dërguar dikush të kërkosh para?

-Jo.

Fëmijët të cilët lypin nëpër qytet, kohëve të fundit janë shtuar edhe më shumë.

 

-Pse kërkon pra?

-Kërkojmë për bukë.

-Për bukë?

-Po.

-A t’i merr dikush paratë që t’i japin njerëzit këtu?

-Nëna m’i merr, blen për të ngrënë.

 

Dyshimet janë se ata keqpërdoren nga një grup i organizuar. Për këtë foli edhe Ilija Jovanoviq kryetar i shoqatës joqeveritare “Ndërtojmë të Ardhme”. Sipas tij një grup mafiozësh janë të njohur edhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme. Shtoi se edhe vajzat rreth moshës 14 deri 16 vjeçe keqpërdoren për prostitucion.

 

“Ministria e Punëve të Brendshme, prokuroria publike, Ministria e Punës dhe Politikë Sociale, Qendrat për Kujdes të Fëmijëve, inspektorët për fëmijët nën moshë, ata e dinë kush janë organizatorët. Kjo është një mafia e madhe, është një organizator i madh që qëndron, në vit rreth 14 milionë euro bëjnë përfitim, nuk e dimë ku shkojnë ato para dhe çfarë ndodh me ato para, vetëm e dimë se organizatorët jetojnë një jetë luksoze në kurrizin e tyre.”- tha Ilija Jovanoviq, kryetar i Shoqatës Joqeveritare “Ndërtojmë të Ardhme në Shkup”.

 

 

E sipas ministres së Punës dhe Politikës sociale Jovana Trençevska, çështja e lypësve në rrugë nuk është punë që mund të zgjidhet brenda ditës. U zotua se para se të fillojë periudha e dimrit do të ketë më shumë ekipe në ato vende që janë më të frekuentuara me fëmijë të cilët kërkojnë lëmoshë.

 

“Kemi një protokoll për veprim ndërinstitucional, pra për veprimin e qendrave të punës sociale, me ministrin e Punëve të Brendshme. Është dukuri që nuk mund për një ditë ta çrrënjosim, megjithatë e kemi zvogëluar praninë e fëmijëve në kryqëzime.”- deklaroi Jovana Trençevska, Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

 

 

Ilija Jovaniq tha se kërkojnë nga Ministria e Arsimit që 18.700 fëmijët të cilët janë në rrugë të kthehen në bankat shkollore dhe të mos ketë diskriminim.