Dy pilotët e avionit ushtarak F-4E Phantom të Forcave Ajrore Greke, i cili u rrëzua gjatë pjesëmarrjes në spektaklin tradicional ajror “Athens Flying Week”, kanë humbur jetën, përcjell TV21. Sipas mediave greke, pilotët nuk janë katapultuar, pasi fluturimi po zhvillohej në afërsi të zonës ku ndodheshin spektatorët.
Forcat Ajrore Greke konfirmuan se në aksident humbën jetën të dy anëtarët e ekuipazhit, ndërsa shkaqet e ngjarjes po hetohen nga një komision kompetent i Forcave Ajrore.
Aksidenti ndodhi në orën 14:55, në afërsi të bazës ajrore ushtarake Tanagra, pranë Athinës, ku po zhvillohej “Athens Flying Week”. Shkaqet e rrëzimit ende nuk dihen.
Spektaklin ajror po e ndiqnin mijëra persona. Sipas informacioneve të MIA-s nga Athina, avioni i Forcave Ajrore Greke u rrëzua të paktën një kilometër larg zonës ku ndodheshin spektatorët.
Gazeta „Kathimerini“ shkruan se ekzistojnë informacione se është regjistruar komunikimi mes dy pilotëve me përvojë dhe qendrës së kontrollit. Sipas të njëjtave informacione, pilotët nuk e aktivizuan sistemin e braktisjes së avionit, i cili përdoret në rast defekti për ta larguar avionin Phantom nga zona e banuar dhe nga spektatorët.
Menjëherë pas rrëzimit ndodhi edhe një shpërthim, pas të cilit shpërtheu zjarr dhe qielli u mbulua nga një re e dendur tymi të zi. Për këtë arsye, “Athens Flying Week” u ndërpre dhe nisi menjëherë evakuimi i spektatorëve.
Sipas informacioneve nga Greqia, avioni u nda në dy pjesë gjatë përplasjes dhe shkaktoi dy zjarre në zonën përreth të zonës industriale, e cila ndodhet pranë vendit të ngjarjes. Nga zjarri u përfshi edhe një fabrikë.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit u angazhuan 115 zjarrfikës, pesë ekipe tokësore dhe 38 automjete. Nga ajri, në mënyrë periodike ndërhynë nëntë avionë dhe katër helikopterë, njëri prej të cilëve për koordinim.
Aksidenti ndodhi disa orë para hapjes solemne të Panairit Ndërkombëtar të Selanikut, ku pritet të mbajë fjalim kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
Fjalimi i Mitsotakis do të mbahet sipas planit, por janë anuluar të gjitha aktivitetet dhe takimet e planifikuara për sot në kuadër të panairit.
Ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, u kthye urgjentisht nga Selaniku në Athinë menjëherë pas rrëzimit të avionit.
Organizatorët e “Athens Flying Week” njoftuan se pjesa e mbetur e programit të spektaklit, i cili ishte planifikuar të përfundonte nesër, është anuluar.
