Në zgjedhjet e ardhshme presidenciale nuk do të votohet kandidati por partia. Kështu u shpreh sot ish zv.kryeministri i vendit Imer Selmani në SummerClick. Sipas tij, fronti europian do të del me kandidat të përbashkët ndërsa kandidati tjetër do të jetë ai i mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe partitë skeptike për të ardhme europiane.
“Unë mendoj se në fund të ditës do të kemi një kandidat i cili do të përkrahet nga ky front evropian ku ndoshta të gjitha partitë politike shqiptare do të jenë aty. Dhe LSDM me të gjitha ato parti politike tjera të cilat janë pro europiane. Dhe do të kemi një kandidat i cili do të përkrahet nga VMRO-DPMNE-ja dhe gjitha partitë politike të cilat janë të themi euro-skeptike ose të cilat për momentin janë kundër ndryshimeve kushtetuese”, tha Imer Selmani – Ish zv.kryeministër.
Selmani tha se ai personalisht nuk e mendon kandidimin për president ndërsa për këtë post për momentin flitet për një rikandidim të Pendarovskit. Sa i përket kandidatit nga fronti europian, sipas Kostovskit nga LSDM, për këtë është ende herët të flitet por ai është i sigurtë se kandidati i tyre do të jetë fituesi i zgjedhjeve.
“Terminin për zgjedhje e definon ligji. Normalisht ende është herët të mendohet për këtë. Ne si socialdemokratë mund të themi se së pari në zgjedhjet presidenciale do të ofrojmë kandidat i cili do të zgjedhet në një procedurë transparente. Gjithsesi do të jetë kandidat fitues në ato zgjedhje të rregullta presidenciale dhe do të vazhdojë ta avansojë atë rrugë evropiane të cilin e udhëhiqte presidenti Pendarovski”, pohoi Martin Kostovski – Deputet i LSDM-së.
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE është e gatshme për zgjedhje të parakohshme kurdo që të mbahen, ndërsa për zgjedhjet presidenciale, do ta dëgjojnë popullin.
“VMRO-DPMNE është e gatshme për zgjedhje kurdo që të mbahen. Por ashtu sikurse deri tani, ashtu edhe në të ardhmen, prioritet i VMRO-DPMNE-së është mendimi i qytetarëve për kandidatët të cilët i propozon. Kështu do të jetë edhe këtë herë. Pas një analize më të gjerë do ta kemi kandidatin më të mirë për president të Maqedonisë”, tha Marija Miteva – Zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
Sa i përket frontit opozitar te partitë shqiptare, Mexhiti thotë se po i shqyrtojnë të gjitha variantet për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, por së pari thotë se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare pasi shumica nuk e mbajti premtimin për ndryshimet kushtetuese.
“Po i bisedojmë të gjitha variantet. Meqë shumica dështoi me premtimin kryesor, ndryshimet kushtetuese, sa më shpejtë duhet të ketë shumicë të re parlamentare që do e nxjerë vendin nga kriza”, deklaroi Izet Mexhiti – Kryetar i Lëvizjes Demokratike.
Përndryshe edhe Zeqirija Ibrahimi nga Alternativa pak javë më parë për Tv21 shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të opozitës në këtë drejtim, dhe do ta mendojnë që të dalin me kandidat të përbashkët mbipartiak.
