Në orët e para të mëngjesit sot në lagjen Karposh të Shkupit ka shpërthyer një zjarr, ku janë djegur plotësisht dy automjete, ndërsa është dëmtuar edhe një semafor, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas MPB-së, më 26.04.2026 rreth orës 05:00 në SPB-Shkup është raportuar se në rrugët “Orce Nikollov” dhe “Nikola Tesla” janë përfshirë nga zjarri dy automjete me targa të Gjevgjelisë – një “Audi” në pronësi të një 58-vjeçari me iniciale K.K. dhe një “Peugeot 307” në pronësi të një 25-vjeçari me iniciale K.K.
Sipas Policisë, nuk ka persona të lënduar.
Zjarri, sipas informacioneve fillestare, ka shpërthyer në një parking pranë Fakultetit Teknologjiko-Metalurgjik, ku kanë qenë të parkuara disa automjete, duke krijuar rrezik për dëme më të mëdha materiale.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, zjarri është vënë nën kontroll dhe është parandaluar përhapja e tij. Banorët e zonës kanë deklaruar se para se të shihnin flakët kanë dëgjuar zhurma të ngjashme me shpërthime dhe kanë ndjerë erë të fortë dhe të pakëndshme.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të rastit.
