Në dy aksidentet e ndara me anijet e fundosura me emigrantë që ndodhën dje në afërsi të ishujve bregdetarë Lezbos dhe Kitira, sipas informacioneve të korrespondentes së MIA-s nga Athina nga shërbimi bregdetar i Greqisë, janë shpëtuar gjithsej 108 persona, humbën jetën 18, ndërsa janë zhdukur 15 emigrantë.
Paralelisht, kryeministri grek i bëri thirrje Turqisë që të bashkëpunojë me Greqinë për përballjen me rrjetet e trafikantëve.
Në aksidentin në Lezbos, ishullin në pjesën veriore të Detit Egje dhe në afërsi të bregdetit turk, janë shpëtuar 28 persona, prej të cilëve tre në mëngjes ishin gjetur në tokë, përderisa nga deti ishin nxjerrë trupat e pajetë të 18 emigrantëve (16 gra, një fëmijë dhe një burrë).
Në përmbytjen e anijes në Kitira, ishullin që gjendet në jug të Peloponezit, gjatë ditës së djeshme ishin shpëtuar 80 persona, ndërsa 15 konsiderohen si të zhdukur, për të cilët ende zgjat aksioni i shpëtimit i shërbimit bregdetar të Greqisë.
Kryeministri grek Kirjakos Micotakis nga Praga, në deklaratën para fillimit të Këshillit Evropian të jashtëzakonshëm, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për dy aksidentet në Detin Egje, edhe një herë shprehu keqardhje të thellë dhe i bëri thirrje Turqisë që të bashkëpunojë me Greqinë.
“Ky instrumentalizim i çështjes së refugjatëve duhet të ndalet përfundimisht. I bëj thirrje edhe një herë Turqisë të bashkëpunojë me Greqinë që t’i eliminojmë njëherë e mirë këto rrjete, rrjetet e mjera të kontrabandistëve të të internuarve. Që jetë të tjera të mos humbasin kot në detin Egje. Nuk ka dyshim se Turqia, nëse dëshiron, ka dëshmuar se mund të bëjë më shumë për të kufizuar problemin, në rrënjën e tij, që është në anijet që largohen nga brigjet turke”, tha Mitsotakis.
Shtoi se Greqia do të vazhdojë me atë që “e bën në mënyrë efikase dhe humane gjatë tre viteve të fundit: t’i mbrojë kufijtë e saj dhe në të njëjtën kohë të kujdeset që ta shpëtojë çdo njeri i cili është në rrezik që ta humb jetën në det”.
