Durmishi: 3,000 denarë në muaj për të rinjtë deri në moshën 23 vjeç

TË FUNDIT

Kuvendi miratoi Ligjin për shtesa për të rinj, përcjell TV21. Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka njoftuar se me këtë ligj rregullohet e drejta për mbështetje financiare për punëtorët e rinj deri në 23 vjeç, të punësuar në sektorin e prodhimit. Sipas tij, të rinjtë përfitojnë shtesë mujore prej 3.000 denarësh, e cila paguhet nga Agjencia e Punësimit të RMV-së në llogaritë e tyre personale.

“Me Ligjin për shtesa për të rinj rregullohet realizimi i së drejtës për shtesë për të rinjtë, procedura, kushtet dhe shuma për pagesën e shtesës për të rinj për persona të ri deri në moshën 23 vjeç. Qëllimi i këtij ligji është nxitja e të rinjve që të përfshihen në tregun e punës në veprimtari prodhuese, e përmes mbështetjes financiare të sigurohet punësim për një periudhë më të gjatë kohore dhe përmirësim i gjendjes së tyre ekonomike. Me fjalë tjera, sigurohet bazë ligjore për pagesën e ndihmës për të rinj në shumën prej 3000 denarësh, nga llogaria e Buxhetit të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në llogarinë e personit të siguruar (punëtorit) të ri i cili është deri në 23 vjeç dhe është i punësuar në fushat e prodhimit”, ka shkruar Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë.