Derisa zjarrfikësit e Shkupit po përballen me zjarret e reja në Trubarevo, mëngjesin e sotëm ka tym edhe nga deponia Drisla. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, thotë se aty po punohet intensivisht për mbulimin e zjarrit. Ai shton se situata në deponinë e egër Vardarishte është e qëndrueshme.
“Sot me një numër të shtuar të makinerive, do të thotë me maksimumin e ekskavatorëve, kamionëve për tokë dhe buldozerëve që pastrojnë dhe hapin vendin ku po digjet, po punohet për mbulimin e zjarrit. Në këtë moment po ecim mirë. Pres që gjatë ditës një pjesë e madhe e vendit të mbulohet plotësisht”, tha Stojançe Angelov, Drejtor i DMSH.
Në disa vende të deponisë Drisla janë vendosur kamera termale për të vëzhguar hapësirën dhe për të zbuluar lëvizje të mundshme të personave me qëllime të këqija që tentojnë të ndezin zjarr, ndërsa është rritur edhe numri i patrullave, tha Angelov.
Ndërkohë që zjarrfikësit punojnë për shuarjen e zjarreve, nuk ndalen edhe akuzat politike për përgjegjësinë e ndotjes së Shkupit. LSDM akuzon se qyteti po ngulfatet, dhe se VMRO-DPMNE e shndërroi në një bombë ekologjike.
“Ndotje e madhe nga dy bombat më të mëdha ekologjike në qytet, deponia Drisla dhe deponia e egër Vardarishte po e helmojnë Shkupin, ndërsa qeverisja e VMRO-DPMNE nuk ka lëvizur për katër vite. Katër vite më parë kryetarët e VMRO-DPMNE premtonin fabrikë për seleksionim të mbeturinave në Drisla, mbyllje dhe zhvendosje të Vardarishtes, mbulim dhe gjelbërim, madje premtonin edhe zonë të gjelbër në Vardarishte”, pohoi Katerina Canevska Arsovska, LSDM.
Nga VMRO-DPMNE përmes një komunikate thanë se aktualisht po punohet për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe se problemet që zgjaten dekada nuk mund të zgjidhen brenda natës.
“Kur bëhet fjalë për ekologjinë, LSDM di vetëm të protestojë dhe të ankohet, ndërsa autoritetet aktuale po punojnë për të zgjidhur problemin me mbeturinat. Është turp të flasë LSDM për ndotjen e ajrit. LSDM është parti që do të mbahet mend vetëm për këtë – gjatë kohës që ishte në pushtet, në vend që të ofronte zgjidhje për ajrin, doli në protesta”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Policia po bisedon me punonjësit e deponisë Drislla në Shkup për të marrë informacione mbi shkaktarët e mundshëm të zjarrit. Ndërkohë autoritetet dyshojnë se zjarret janë ndezur qëllimisht para zgjedhjeve.
