Drin Ahmeti posedon 39% të aksioneve në “Soravia”/ Thotë se xhaxhai i tij Ali Ahmeti nuk ka gisht në jetën e tij afariste

TË FUNDIT

Nipi i kreut të BDI-së Ali Ahmeti, Drin Ahmeti do të posedojë 39% të aksioneve të Q.T. Soravia. 51% do t’i ketë kompania PE-VLA-KU nga Shqipëria, ndërsa 10% do t’i mbeten pronarit të deritanishëm, biznesmenit Hano Soravia. Asnjëra prej palëve nuk deshi ta tregojnë shumën totale të marrëveshjes për shit-blerje, edhe pse në opinion përflitet se kapë shumën e 30 milionë eurove. Drin Ahmeti thotë se ai personalisht nuk ka dhënë asnjë qindarkë ndërsa në partneritet me kompaninë PE-VLA-KU, kanë tërhequr linjë kreditore prej 6 milionë eurove.

“Unë jam 39% aksionar tek Soravia Invest dhe 49% tek Soravia Menaxhment. Soravia Menaxhment nuk ka asnjë pronë, por bën vetëm menaxhimin e objektit siç ka bërë deri më tani. Ndërsa Soravia Invest ka pronën që është ndërtesa. 15,570m2. Unë financiarisht nuk kam kontribuar në këtë ndërmarrje asnjë cent. Jo se kompania e cila unë përfaqësoj nuk ka mundësi por kjo ka qenë marrëveshja komerciale. Nuk kemi kontribuar as PE-VLA-KU si kompani nuk ka kontribuar mjete të veta, kemi marë linjë kreditore prej bankës”, tha Drin Ahmeti.

Përfaqësuesi i kompanisë PE-VLA-KU, Vladimir Pjetërgjokaj, tha se ai ka vlerë të madhe dhe asete të mëdha në bankën Credins, prandaj ia kanë pranuar kërkesën për kredi. Me Drinin thotë se njihet tanimë pesë vite.

“Marrëdhënia me Drinin është se ky është shqiptar, unë jam shqiptar. Kemi miq të përbashkët, ka pesë vite që e njoh. Ka mbi katër vite që është pjesë e bordit tim për projektet në Itali”, tha Pjetërgjokaj.

Në bisedë u kyç edhe biznesmeni Hano Soravia, pronar i kompleksit Soravia. Ai tha se në fillim nuk ka pasur njohuri se cilës familje i përket Drin Ahmeti por se ka besuar në aftësitë e tij.

“T’u them të vërtetën, nuk e dija mbiemrin e tij. Besoja në arsimimin e tij , besoja në aftësitë e tij për negociata. Më vonë mësova mbiemrin e tij sepse ne besojmë në personalitet dhe nuk besojmë në lidhjet politike”, u shpreh Soravia.

Sipas informacioneve që dha Ahmeti, borxhi i kompanisë momentalisht është 20 milionë euro, dhe ata si aksionarë kanë marë përsipër ta mbulojnë të njëjtën. Drin Ahmeti siguron se xhaxhai i tij Ali Ahmeti nuk ka gisht aspak në jetën e tij afariste, madje thashethemet nëpër media ia dëmtojnë biznesin.

“Jam krenarë që e kam xhaxha, por ai nuk ka të bëjë fare me biznesin tim. Asgjë, zero! Dhe kjo, që mediat nuk e dinë, po më dëmton tek njerëzit e rrjetit tim të biznesit”, tha më tej Ahmeti.

Mbi këtë blerje të nipit të Ali Ahmetit, ditëve të fundit ka pasur akuza edhe nga opozitarja VMRO-DPMNE duke ngritur pyetjen se si një 24-vjeçar arriti të blejë biznes në qendër të Shkupit në vlerë 30 mln euro.