Rastet e të sëmurëve me COVID-19 janë në rritje gjetkë në botë, por jo edhe shtrimet në spital dhe vdekjet. Kjo, falë imunitetit të krijuar nga vaksinimi, por edhe infektimit natyror, thotë Paul Offit, drejtor i Qendrës për Krijimin e Vaksinave në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfia të SHBA-së.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Offit shfaq besimin se e ardhmja do të sjellë më shumë njerëz të sëmurë lehtë dhe më pak të sëmurë rëndë.
Megjithatë, shton ai, gjendja më reale do të shihet në dimër, në stinën kur infektimet zakonisht marrin hov.
Offit thotë se njerëzit nën 70 vjeç dhe që janë të shëndetshëm, nuk kanë nevojë për dozën e katërt të vaksinës.
Duke folur për periudhën e mundshme post-pandemike, ai thotë se “ky virus do të qarkullojë me dekada, nëse jo me shekuj”.
“Ne nuk do ta heqim qafe këtë virus”, thotë Offit, i cili ka qenë edhe anëtar i një paneli në SHBA që ka rekomanduar përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech.
Radio Evropa e Lirë: Doktor Offit, numri i rasteve me COVID-19 është duke u rritur në gjithë botën. Çfarë qëndron pas kësaj rritjeje?
Paul Offit: Bëhet fjalë për të ashtuquajturat nënvariante të Omicronit, që janë imuno-invazive. Pra, edhe nëse jeni të vaksinuar, edhe nëse keni marrë dozën përforcuese [të vaksinës], ju mund të merrni një infeksion të lehtë. Kjo është edhe ajo që po shohim. Edhe këtu në SHBA, po ashtu. Shohim rritje të rasteve kryesisht me BA.4 dhe BA.5. Këto nënvariante të Omicronit përbëjnë tani rreth 50 për qind të rasteve. Por, nuk shohim rritje të numrit të vdekjeve. Shohim vetëm rritje të vogël të shtrimeve në spital. Kjo edhe mendoj se do të jetë e ardhmja me këtë virus – më shumë të sëmurë lehtë dhe më pak të sëmurë rëndë.
