Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge, viziton sot Shqipërinë me ftesë të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Në një postim në Fejsbuk, ministrja shkroi se OBSH-ja mbështet Shqipërinë në përballimin e pandemisë.
“Organizata Botërore e Shëndetësisë mbështet Shqipërinë. Shumë e kënaqur të mirëpres Drejtorin Rajonal të OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, për të forcuar bashkëpunimin me OBSH për përballimin e pandemisë KOVID-19”.
Kluge sot ka zhvilluar një takim me presidentin shqiptar Ilir Meta, ku kanë diskutuar për përkeqësimin e ritmeve të përhapjes së pandemisë KOVID-19 në Shqipëri dhe masat efektive të menjëhershme, që duhen ndërmarrë në funksion të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari.
“Theksova nevojën e rritjes të buxhetit për sistemin shëndetësor, shtimin e numrit të testimeve dhe kapaciteteve spitalore për trajtimin e të prekurve, plotësimin pa zvarritje të mëtejshme të nevojave spitalore, si dhe unifikimin e protokollit të trajtimit në kushtet e shtëpisë”, tha Meta.
Ndryshe, në Shqipëri dje kishte 410 persona të infektuar nga 2.044 teste të bëra (485 për skrining), që është 20 për qind e të testuarve
Edhe më tutje vatër kryesore është Tirana ku janë 265 nga rastet e reja, pas çka vijnë Durrësi, Elbasani, Shkodra dhe Korça.
