Çimentorja Usje nuk është shkak për ndotjen në Shkup dhe nuk ka arsye për dislokim të fabrikës – thotë menaxhmenti i kompanisë. Shtojnë se punojnë sipas standardeve më të larta evropiane dhe janë nën monitorim 24-orësh, që tregon se ata nuk janë shkaku i ndotjes. Ata pohojnë se edhe gjatë periudhave kur fabrika nuk punon për shkak të riparimit të furrave, ndotja në Shkup është e madhe. Sot, me mbështetjen e Odës Ekonomike, ata shpjeguan argumentet e tyre.
“Një numër i madh studimesh të kryera seriozisht, bëjnë analizë të grimcave që ka në ajrin ambient, tregojnë për origjinën e tyre. Asnjë nga ato nuk tregon se industria është faktor dominues. Nga ana tjetër, USJE ka monitorim 24-orësh që mat çdo sekondë çdo tymnajë të procesit të prodhimit të fabrikës. Të gjitha matjet tregojnë se kompania punon plotësisht sipas ligjit kombëtar dhe direktivave evropiane dhe në asnjë rast nuk është shkaku kryesor i ndotjes”, tha Goce Cvetkovski – drejtor i Teknik “Titan-Usje”.
“Puna e kompanisë është nën monitorim të pavarur 24-orësh dhe me leje A të integruar”, u shpreh Konstantinos Nikolau – drejtor ekzekutiv i “Titan – Usje”.
Kryetari i Odës Ekonomike Branko Azeski bëri thirrje për dialog. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në këtë proces, pa masa radikale – tha ai.
“Shumë çështje kanë rëndësi thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Por ajo që duhet të dihet, janë prioritetet kryesore që duhet të respektohen, mbrojtja e popullatës, kushtet maksimale për krijimin e fitimit për ekonominë dhe ngritja e standardit të jetesës së qytetarëve. Nëse dikush nuk është në gjendje ta bëjë këtë, nëse dikush nuk mund t’i arrijë këto objektiva, atëherë natyrisht njerëzit e pyesin për kapacitetin”, theksoi Branko Azeski – kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.
Në protestën e fundit para USJE-s, qytetarët e udhëhequr nga iniciativa “Stop për Usje-n” i dhanë karton të verdhë fabrikës. Nëse fabrika nuk dislokohet, nuk vendoset monitorim 24-orësh dhe nuk ka reagim institucional, ata paralajmëruan se do të radikalizojnë protestat. Kërkesat e tyre janë dërguar në më shumë se dhjetë institucione, me kërkesë për reagim të shpejtë. Në fillim të janarit, në një seancë të Qytetit të Shkupit u pranua iniciativa për dislokimin e fabrikës, por tani gjithçka është në dorë të Qeverisë.
