'Drejtësia të jetë e pavarur nga politika'

TË FUNDIT

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka raportuar lidhur me procesin e integrimeve evropiane. Me theks të veçantë, ai ka folur lidhur me përmbushjen e reformave në sistemin e drejtësisë, si dhe për dialogun e strukturuar, që ka të bëjë me rendin dhe ligjin në Kosovë.

Ministri Kuçi gjatë tha se MD-ja është e fokusuar në fushën legjislative për të plotësuar çështjet që kanë të bëjnë në fushën penale. Ai tha se Kosova tanimë ka një infrastrukturë ligjore në këtë drejtim, duke përmendur me këtë rast 44 ligjet e proceduara në Kuvend.
Kuçi sqaroi se qendrat e paraburgimit do të hiqen nga qendra e qytetit dhe se kjo do të realizohet brenda mandatit të tij.

“Duhet të ndërtojmë një sistem sa më të pavarur dhe sa më efikas. Ne, kemi ndërtuar bazë të mirë juridike, gjyqtarët e kanë mandatin e përhershëm dhe sistemin buxhetor, kështu që pres të ketë ngritje të vazhdueshme në këtë sistem”, tha Kuçi, duke sqaruar më tej se brenda tri viteve Kosova do ta ketë kodin e vet civil, si dhe do të harmonizohen të gjitha ligjet ekzistuese. Ai ka vlerësuar se ministria të cilën ai e drejton nuk ka ndikim në gjyqësi.

Më tej, ministri i Drejtësisë ka folur edhe për çështjen e mandatit të EULEX-it. Lidhur me këtë ai tha se duhet të marrim përgjegjësitë tona dhe se në vitin 2016 misioni i EULEX-it duhet ta përfundojë mandatin, ashtu siç është e përcaktuar.
Gjatë diskutimit të anëtarëve të komisionit, u vlerësua se duhet të ndërtohet sistem i pavarur i drejtësisë dhe se duhet të krijohet ambient i duhur për pavarësinë e gjyqtarëve.