DORËHIQET PAVLE BOGOEVSKI, “MANDATI I GRUEVSKIT DO TË JETË VOTA IME E FUNDIT”

TË FUNDIT

Vota ime për marrjen e mandatit të Nikolla Gruevskit do të jetë e fundit në këtë Kuvend. Me këto fjalë kryetari i Komisionit për Çështje të Mandatit dhe Imunitetit, Pavle Bogoevski bëri me dije se dorëhiqet nga posti i deputetit. Ai së pari iu drejtua kolegëve të tij të opozitares VMRO-DPMNE, të cilët në fillim të seancës, në të cilën duhej të debatohet për marrjen e mandatit të Nikolla Gruevskit, kërkuan që tema e debatit të jetë përgjegjësia e Bogoevskit, pas publikimit të incizimit në opinion, në të cilin ai porosit, siç thanë, substanca të palejuara.


“Tani është pikëpyetje nëse deputetët e VMRO-DPMNE-së do të tregojnë sadopak etikë dhe moral, të cilin kaq lehtë e përdoreshin këto dy javë dhe nëse do ta mbrojnë kriminelin në arrati Nikolla Gruevski ose do t’ia marrin mandatin? Nëse në Kuvend nuk ka vend për një njeri i cili e ka shkelur ligjin për të blerë vaj të kanabisit për një person të afërt të sëmurë, atëherë me siguri s’ka vend edhe për deputet i cili paratë e qytetarëve i ka shfrytëzuar për ta paguar hotelin derisa është në arrati nga drejtësia e Maqedonisë”, u shpreh Pavle Bogoevski, deputet i LSDM-së.

Bogoevski tha se vendimin e ka marrë menjëherë pas publikimit të incizimit dhe në momentin kur ka denoncuar në polici se është incizuar në mënyrë të paligjshme. Ai tha se dorëheqja do të bëhet e  vlefshme pas përfundimit të seancës në të cilën duhet të votohet për marrjen e mandatit të Gruevskit.

“Dorëheqja do të hyjë në fuqi në momentin e seancës plenare e cila ka të bëjë me votimin për marrjen e mandatit të Nikolla Gruevskit. Votimi për marrjen e mandatit të Nikolla Gruevski do të jetë vota ime e fundit në këtë Kuvend. Këtë vendim e solla menjëherë pas skandalit, në momentin kur vetë u denoncova në polici për blerje të vajit të kanabisit për një familjar. Askujt nuk do t’i kisha rekomanduar që nga ato arsye të bëjë akt joligjor”,theksoi deputeti i LSDM-së, Pavle Bogoevski.

Pas fjalimit të tillë, Bogoevski mori duartrokitje nga kolegët e tij të LSDM-së.

Nga VMRO-DPMNE-ja, dorëheqjen e Bogoevskit e vlerësuan si moral të rrejshëm, kurse presin që kundër tij të hapet edhe aktakuzë.

“Dorëheqja nuk është dhe nuk mund të jetë arsyetim dhe amnistim për krimin e bërë. Pavle Bogoevski duhet të mbajë përgjegjësi penale për tregti në tregun e drogës”, potencoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

Dorëheqjen e Bogoevskit e përshëndeti edhe Artan Grubi i BDI-së. -Më vjen keq për gjendjen e familjarit të Bogoevskit, i dëshiroj shërim sa më të shpejtë, kurse Pavles i uroj suksese në aktivitetet e tij të mëtutjeshme, ka thënë Grubi.

Përgatiti: Svetllana Unkovska