Igor Drullovski dhe zyrtarisht më nuk është deputet. Dorëheqjen e tij si dhe të tre deputetëve të tjerë sot i konstatoi Kuvendi. Drullovski dorëheqjen e tij e paralajmëroi javën e kaluar përmes fesjbukut të tij, ku ka shkruar se në Parlament nuk mund të realizojë qëllimet e tija politike. “Kolltuku i deputetit gjembon kur pragma politike bëhet më e rëndësishme se morali, andaj po largohem nga Kuvendi”. Por, ai nuk u paraqit në seancë për të arsyetuar dorëheqjen, ndërsa edhe nga opozitarja DPMNE, nuk e komentuan dorëheqjen e tij.
“Ju informoj se deputeti Igor Drullovski ka dhënë dorëheqje nga funksioni deputet në Kuvendin e RMV. Jam i njoftuar se deputeti Drullovski nuk do ta arsyetojë dorëheqjen në seancë parlamentare”, theksoi Talat Xhaferi – Kryetar i Kuvendit.
Përveç Drullovskit, dorëheqje parashtruan edhe dy deputet nga LSDM, Muhamed Zekiri dhe Sanja Llukarevska, si dhe Bajram Shabani nga BDI, të cilët do të emërohen në funksione tjera. Me dorëheqjen e Llukarevskës, Zekirit dhe Rexhepit pushteti nuk do ta ketë shumicën e nevojshme në Kuvend, andaj Xhaferi kërkoi nga KSHZ që ta informojë parlamentin për deputetët e ardhshëm nga listat.
“Deputet në Kuvend, për pjesën e mbetur të mandatit do të jetë Mirçe Axhioski, nga lista e kandidatëve në njësinë zgjedhore numër 5 të VMROP-DPMNE dhe koalicionit Ripërtëritje për Maqedoninë. Rina Ajdari nga lista e kandidatëve për deputet në njësinë zgjedhore numër 6 të BDI, Mirosllav Jovanoviq nga lista e kandidatëve nga njësia zgjedhore numër 2, bartës i kësaj liste është koalicioni Mundemi, dhe Lidija Tasevska nga përfaqësuesi i autorizuar koalicioni Mundemi”, deklaroi Oliver Derkovski – Kryetar i KSHZ-së.
Përndryshe Muhamed Zekiri nga LSDM do të jetë drejtori i ri i Fondit shëndetësor, Sanja Llukarevska e cila gjithashtu dha dorëheqje nga funksioni i deputetes, vazhdon të udhëheq me DAP. Dorëheqje nga funksioni i deputetit u konstatua edhe për Bajram Shabanin nga BDI për të cilin paralajmërohet se do ta marrë funksionin e Drejtor i Resurseve kombëtare energjetike.
