Dorëheqje për arsye morale apo se do bëhet ambasador? Osmani: Emërimi i tij në Rusi ka ndodhur që në mars të këtij viti

TË FUNDIT

Kërkesa e tij për shkarkim, për shkak të ngatërrimit të flamujve gjatë vizitës së ministres sllovene, Tanja Fojan, nuk do të ketë ndonjë ndikim shumë të madh në karrierën e njeriut të parë të Protokollit pranë MPJ-së, sepse аi do të shkojë në Moskë ku do ta ushtrojë funksionin – ambasador. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se emërimi i tij në Rusi ka ndodhur që në mars të këtij viti dhe se nuk ka asnjë lidhje me funksionin që e ushtronte si shef i Protokollit.

https://www.youtube.com/watch?v=8ZFLVGszvuk

“Kjo është diçka plotësisht e ndarë nga çështja e pozicionimit të ambasadorit në Moskë. Nëse dhe kur do të dërgojmë një ambasador në Moskë, do të jetë një vendim politik varësisht nëse vlerësojmë se duhet të kemi komunikim për OSBE-në edhe me Federatën Ruse. Por, kjo në asnjë mënyrë nuk është lidhur me këtë proces në funksionin e Protokollit.”- deklaroi Bujar Osmani, Ministër i Punëve Të Jashtme.
Nga Sindikata Diplomatike e Maqedonisë sot paradite dolën me kumtesë, duke sulmuar ashpër ministrin Osmani se nuk e flet të vërtetën rreth dorëheqjes së shefit të Protokollit.
“Pa kurrfarë turpi, z.Bujar Osmani dje gënjeu publikisht para kamerave televizive se shefi i Protokollit në MPJ ka dhënë dorëheqje për shkak të ngatërrimit të flamujve. Për ta bërë edhe më të paskrupullt gënjeshtrën rreth dorëheqjes së pretenduar, kolegu në fjalë pas një jave do të shkojë në një vend të madh për ta ushtruar funksionin e ambasadorit, kurse biletat i ka nxjerrë para se të ndodhë i gjithë incidenti me flamujt. Për çfarë dorëheqjeje po flet z.Osmani?”- thanë Sindikata Diplomatike e Maqedonisë.

Lidhur me reagimin e këtillë të Sindikatës Diplomatike, Osmani thotë se është qëndrim vetëm i një personi e jo i gjithë sindikatës.