“Dy e treta e anëtarëve të degës Çair japin dorëheqje nga organet partiake”. Kështu përmes një kumtese njoftoi mediat Dega e Alternativës në Çair. Në kumtesë bëhet e ditur se shkak i dorëheqjeve, janë pakënaqësitë që ndërlidhen sipas tyre me Afrim Gashi dhe sekretarin e përgjithshëm të partisë, Zeqirija Ibrahimi.
“Me këtë rast, para opinionit publik dhe gjithë anëtarësisë, sollëm këto vendime: – 2/3-ta e anëtarëve të degës Çair japin dorëheqje nga organet partiake; – 8 anëtarë të Kuvendit Qendror, së bashku me 1 anëtar të Kryesisë Qendrore – shuajnë aktivitetin në degë; – kryetarët e nëndegëve përkatëse, së bashku me anëtarët e tyre, tërhiqen nga dega Çair”, thuhet në njoftimin e anëtarëve të Alternativës.
Por kryetari Alternativës Afrim Gashi tha se këta persona ka kohë që nuk janë anëtarë të Alternativës.
“Janë disa anëtarë që gjatë kohë nuk janë më anëtarë të alternativës, unë mund të flas vetëm për anëtarë të Alternativës, por në parim duhet të dihet një gjë në vigjilje të zgjedhjeve të ardhshme, po e shihni qartë se po bëhen dy blloqe në kampin shqiptar. Secili qytetar, secili aktivist e ka të drejtën e vet të zgjedhë të jetë me kampin opozitar apo me kampin e shumicës, prandaj nuk dua të paragjykoj askënd”, pohoi Afrim Gashi, kreu i Alternativës.
Ndryshe më herët kjo parti pati probleme edhe në degën e Tetovës, ku u ndërrua pothuajse e gjithë struktura.
