Kreu i Alternativës, Afrim Gashi sot komentoi deklaratat e deputetit Seknder Rexhepi në lidhje me bashkëpunimin me VMRO-DPMNE-në në zgjedhjet e fundit lokale. Ai tha se partia duhet të bëj analiza për rezultatin e zgjedhjeve lokale, shkruan TV21. Gashi deklaroi se është i hapur edhe të jep dorëheqje nga kjo parti, nëse organet e subjektit politik vlerësojnë se duhet të jepet përgjegjësi.
“Kjo është çështje e analizës së brendshme të rezultatit zgjedhor që do të duhet të zhvillohet në organet e partisë, për mua personalisht fare nuk ka të bëj çështja e personit të fjalë, kush është kryetar apo kush nuk është. Ne duhet ta shohim siç e ka thënë z.Rexhepi në një emision se do të duhet të bëhet analizë që të shohim se ku janë bërë gabimet. Kushdo që duhet ta ec rrugëtimin më mirë, ne jemi të hapur mes vete, merremi vesh, ajo është çështje e brendshme e jona. Unë jam i hapur për këtë punë, për mua është me rëndësi të jetësojmë idealet tona”, tha mes tjerash Gashi.
Ndryshe, deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi në një deklaratë për TV21 tha se opozita shqiptare ka humbur 27 mijë vota si pasojë e bashkëpunimit me VMRO-DPMNE-në.
