Do të rriten kreditë dhe provizionet

TË FUNDIT

Guvernatori Trajko Sllaveski vlerëson se është më mirë të ketë norma më të larta interesi për kreditë sesa rritje të inflacionit. Lidhur me paralajmërimet për rritjen e provizioneve nga tri banka të mëdha dhe një bankë më e vogël, Sllaveski thotë se Banka Popullore nuk sheh arsye për këtë rritje.

Banka Popullore e rriti normën bazë të interesit me 0,25 pikë përqindjeje. Kështu, norma e re është 4,25%, kundrejt 4% sa ishte më parë. Kjo normë shërben si sinjal për bankat që edhe ato të rrisin normat e interesit. Megjithatë, siç thotë guvernatori Trajko Sllaveski, vendimi afarist mbetet në duart e bankave komerciale dhe efekti i kësaj mase zakonisht shfaqet me vonesë.

Që nga fillimi i vitit është vërejtur një kërkesë më e madhe për valuta të huaja nga sektori korporativ, gjë që ka kushtëzuar një prani më të madhe të Bankës Popullore në tregun valutor. Që nga fillimi i majit është regjistruar stabilizim i kërkesës për valuta të huaja, ndërsa informacionet më të fundit sjellin më shumë siguri për një qetësim të afërt të konfliktit në Lindjen e Mesme. Megjithatë, pasojat ekonomike të zhvillimeve gjeopolitike mbeten të pranishme, ndërsa pasiguria lidhur me ritmin e stabilizimit të plotë të flukseve ekonomike vazhdon të krijojë rreziqe – tha guvernatori në konferencën e sotme për shtyp.

Ai theksoi se projeksionet më të reja për çmimet e importit tregojnë inflacion më të lartë të importuar dhe rritje të moderuar të çmimeve të energjisë dhe të një pjese të produkteve ushqimore, në kushte të pasigurisë së vazhdueshme.

Edhe pse pritjet e konsumatorëve për rritjen e çmimeve në periudhën e ardhshme janë disi më të moderuara krahasuar me muajin e kaluar, rreziqet për inflacionin mbeten kryesisht në kahun rritës – theksoi guvernatori.

Ai shtoi se, “edhe pse normat e ulëta të interesit janë të pëlqyera, ato e nxisin inflacionin dhe kjo i godet më së shumti shtresat më të varfra”.

“Më mirë norma më të larta interesi sesa rritje e inflacionit”, u shpreh prerazi guvernatori.

Sipas tij, mënyra se si bankat do t’i formojnë normat e ardhshme të interesit varet nga disa faktorë.

Masa e Bankës Popullore ka efekt sinjalizues, ndërsa normat e interesit varen nga politika afariste e bankave. Kjo, nga ana tjetër, varet nga faktorë të ndryshëm, si kostoja e burimeve të financimit dhe vlerësimi i rrezikut – shpjegoi Slaveski.

Sipas guvernatorit, normat aktuale të interesit, veçanërisht ato për kreditë banesore, janë ndër më të ulëtat në Evropë.

Guvernatori u ndal edhe te rritja e paralajmëruar e provizioneve nga disa banka. Ai theksoi se qëndrimi i tij është se shërbimet e pagesave janë një e mirë publike, ashtu si energjia elektrike dhe uji, dhe se ato duhet të rregullohen.

“Ne, si Bankë Popullore, kemi ndërmarrë disa masa që kanë çuar në uljen e tarifave. Lidhur me paralajmërimet për rritjen e provizioneve nga tri banka të mëdha dhe një bankë më e vogël, nuk shohim arsye për rritje. Ato kanë fitime të qëndrueshme. Pas vërejtjeve tona, një bankë më e madhe e shtyu zbatimin e tarifës së re për disa muaj”, tha Slaveski.

Ai theksoi se po shqyrtohet mundësia që me ligj të përcaktohen disa shërbime bankare që do të jenë pa pagesë. Si shembull ai përmendi Kroacinë.

“Po propozojmë që një pjesë e madhe e shërbimeve bankare të jenë falas, si hapja dhe mbyllja e llogarisë bankare, si dhe bankingu elektronik”, tha Slaveski.

Ai rikujtoi edhe një herë propozimin për ndryshime në Ligjin për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave, me të cilat do të mundësohet përdorim më i gjerë i llogarisë së pagesës me funksione bazë.

“Deri më tani vetëm 140 qytetarë e përdorin llogarinë e pagesës me funksione bazë, ndërsa arsyeja janë kufizimet ekzistuese”, tha Slaveski.

Bëhet fjalë për një llogari me të cilën, për rreth 30 denarë në muaj, mund të kryhen një numër i pakufizuar pagesash, tërheqje parash të gatshme dhe transaksione pagesash në denarë.

Slaveski tha se për këtë çështje kanë zhvilluar takim me Shoqatën Bankare të Maqedonisë dhe se presin përgjigje nga ana e saj.