Do të përpilohet kod i ri zgjedhor! Partitë kanë qëndrime të ndryshme për njësitë zgjedhore

TË FUNDIT

Do të përpilohet Kod i ri Zgjedhor, bën të ditur ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski, duke sqaruar se brenda javës do të dërgohet letër tek të gjitha palët e interesuara, me ç’rast do të ftohen partitë politike të marrin pjesë në grupin punues që do të përpilojë Kodin e ri Zgjedhor.

 “Të respektohet parimi i konsensualitetit, do të thotë qëndrimet e të gjitha palëve të prekura të jenë pjesë përbërëse dhe integrale e Kodit të ri Zgjedhor. Zgjedhjet e fundit sërish detektuan dhe treguan se ka disa anomali dhe në bazë të një analize komparative dhe proces gjithëpërfshirës të sjellën zgjidhjet më të mira të mundshme”- deklaroi Nikolla Tupançevski, Ministër i drejtësisë

Nga VMRO-DPMNE për TV21 thanë se nuk do të dalin qëndrim deri sa kjo letër nuk arrin zyrtarisht në adresë të tyre. LSDM thonë se janë për një njësi zgjedhore, megjithatë bëjnë të ditur se në fund të fundit ndryshimet në Kodin Zgjedhor sillen me konsensus politik më të gjerë.

“LSDM-ja mbështet vendosjen e një njësie zgjedhore. LSDM është partia e parë që e ka përkrahur zotimin për zbatimin e një njësie zgjedhore, publikisht dhe me program. Nuk duhet të kufizohemi në kohë, por të hapim diskutim dhe të shohim se cili model është më i miri për të gjitha partitë politike. Në atë diskutim do të marrë pjesë edhe LSDM-ja, së bashku me të gjithë partnerët e koalicionit”- thonë nga LSDM-ja.

Por, për BDI-në korniza juridike aktuale dënon modelin me një njësi zgjedhore. Arbër Ademi shef i grupit parlamentar të BDI-së, thotë se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshueshëm.

-Ky është qëndrim i ri, i vjetër si do që ta quajmë për shkak se korniza juridike aktuale dënon një model të tillë, prandaj nuk mund të udhëhiqemi nga nevojat apo teket e partive të ndryshme politike të cilat varësisht rrethanave ndryshojnë edhe qëndrimet e tyre. Qëndrimi jonë është konzistent, i pandryshueshëm deri më sot e për çfarë do lloj modaliteti që do të duam të instalojmë do të duhet konsensus ndërpartiak- tha Arbër Ademi, koordinator gp i BDI.

Edhe Halil Snopçe nga Aleanca për Shqiptarët thotë se në këtë grup pune do të marrin pjesë me qëndrime të pandryshuara.

“Ne do të japim mendimet tona në lidhje me propozimin tonë të bazuar shkencërisht për 8 njësi zgjedhore, në lidhje me listat e hapura në lidhje bile-bile edhe ndërrimin e modelit zgjedhor. Çështja kryesore në këtë rast është të hapet debati dhe të marrim pjesë në debat, siç thashë më herët është dokumenti kryesor i demokracisë parlamentare dhe nuk ka asnjë arsye të mos marrim pjesë. Pavarësisht lojërave të qeverisë ne përsëri do të shkojmë dhe do të japim mendimet tona”- pohoi Halil Snopçe , deputet i ASH-së

Ministri Tupançevski theksoi se Kodi Zgjedhor do të duhet të hyjë në fuqi së paku 6 muaj para zgjedhjeve, pasi siç shtoi, paraprakisht duhet të dihen rregullat e lojës.