Do të luajnë për nder të viktimave të Koçanit! Përfaqësuesja e Maqedonisë me fanella të zeza përballë Lihtenshtajnit

TË FUNDIT

Edhe futbollistet e përfaqësueses janë të pikëlluar për tragjedinë e diskotekës në Koçan. Do ta kenë vështirë të motivohen për të luajtur futboll, por ata thonë se do të luajnë për nder të viktimave dhe të lënduarve. Përfaqësuesja ka ardhur këtu në Vaduz të Lihtenshtajnit ku do të përballet përfaqësuesen e këtij shteti në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.

“Ngushëllimet e mia për familjarët e prekur nga kjo tragjedi. Jam shumë i prekur nga ana emocionale çka ndodhi atje. Kishte shumë jetë të humbura. Besoj që në këtë shtet në të cilin jetojmë duhet të japim më shumë dashuri, të përkrahim njëri tjetrin dhe të tentojmë t’i ndihmojmë njëri tjetrit sa shumë”, tha Enis Bardhi.

 “Ende e kam të vështirë të flas për këtë tragjedi. Edhe njëherë ngushëllime për të gjitha viktimat. Është shumë e vështirë të flas për këtë rast. Gjithsesi do të ishte mirë që këto kualifikim t’i nisim me fitore dhe ta vazhdojmë atë seri të fitoreve 7 ndeshje me radhë, por për të shpresuar në atë duhet të jemi në maksimumin tonë”, deklaroi Bllagoja Milievski. 

Ndryshe me këtë ndeshje Maqedonia nis ciklin e kualifikimeve për botërorin e ardhshëm. Përfaqësuesja verdhekuqe gjendet në Grupin J bashkë me Belgjikën, Kazakistanin, Lihtenshtajnin dhe Uelsin.

Ndeshja Lihtenshtjan – Maqedoni e Veriut do të zhvillohet të shtunën në ora 15:00 në stadiumin Rhein Park të Vaduzit. 

Është paralajmëruar se futbollistët do të dalin në fushë e fanella të zeza në shenjë respekti për viktimat.

Nga Vaduz, Lihtenshtajn për TV21 Artan Nuhiu