Kompanitë që e kanë paguar tatimin e solidaritetit në vitin 2023 do t’i marrin paratë prapa – por në vitin 2026. Ministria e Financave njoftoi se ky proces do të zhvillohet në bazë të marrëveshjeve, me qasje të personalizuar për çdo kompani. Arsyeja – pozita dhe pritjet e ndryshme nga kompanitë.
“Kjo do të thotë që nuk ka rregull fiks që do ta ndjekim, përkundrazi, i qasemi çdo kompanie veçmas, sepse nevojat janë të ndryshme në çdo rast”, njofton ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska – Koçoska.
Ministrja tha se sot kanë pasur takim me njërën nga kompanitë që kishte paguar shumën më të madhe për këtë tatim dhe se planifikojnë t’i përfundojnë takimet me të gjitha 155 kompanitë e tjera brenda 30 ditëve të ardhshme. Ajo pret që disa kompani të tregohen bujare.
“Mund të them që informacionet dhe takimet që kemi pasur me disa kompani tregojnë se disa duan që mjetet t’u kthehen përmes pagesave transaksionale, jo me para në dorë. Ka të tilla që janë të gatshme të bëjnë kompensim si dhe ka edhe kompani që thonë se nuk duan t’i marrin paratë mbrapsht, por duan të dinë se ku mund t’i investojnë ato në mënyrë për shoqëri të përgjegjshme”, tha më tej Dimitrieska – Koçoska.
Ministrja Dimitrieska-Koçoska paralajmëroi se disa nga shërbimet në Ministri tashmë po shqyrtojnë aspektet juridike dhe përgjegjësinë eventuale të disa personave për vendosjen e këtij tatimi të kontestuar nga Kushtetuesja. Përndryshe, gjithsej 156 kompani ishin të obliguara ta paguajnë këtë tatim, si dhe në vitin 2023, buxheti i shtetit arkëtoi 49,2 milionë euro të cilat tani duhet të kthehen.