Lufta kundër korrupsionit! Ky do të jetë një ndër angazhimet kryesore të “Lidhjes Europiane për Ndryshim” tha kryetari i LD-së Izet Mexhiti në intervistë për Radio Evropa e Lirë. Ai shtoi se në bllokun shqiptar duhet konkurrencë, gjë që sipas tij, ka munguar në 20 vitet e fundit.
“Nuk do të konstatojmë vetëm keqqeverisjen e BDI-së dhe partnerëve të tjerë në qeveri, por do të japim propozime konkrete për zgjidhjen e atyre problemeve për përmirësimin e standardit të jetesës, për një perspektivë më të mirë, për të parandaluar migrimin e të rinjve. Do të ketë luftë kundër korrupsionit, e cila në raportin e fundit tregohet edhe si ndër më katastrofiket deri tani, për shkak të korrupsionit të madh dhe atë të nivelit të lartë”, tha Izet Mexhiti, LD (LEN).
Korrupsioni dhe nëntoka janë ndër arsyet kryesore që Mexhiti thotë pse u largua nga kjo parti.
“Një nga arsyet që unë dola nga BDI është se ata u ndeshën me disa gjëra, ku vija e hollë është partia politike dhe nëntoka. Bëhet fjalë për biznesin e kazinove dhe kreditë e shpejta që rastësisht ose jo, licencat i marrin nga BDI dhe Ministria e Financave. Është e çuditshme sepse partitë shqiptare në 30 vitet e fundit nuk kanë shprehur asnjëherë interes për të qenë pjesë e Lotarisë Maqedonase. Ata nuk kishin as anëtarë të Bordit të Drejtorëve dhe as zëvendësdrejtor. Kjo qeveri dhe BDI, të cilën as që mund ta njoh, e bënë hapin e parë duke emëruar asistentin që Artan Grubi kishte në Kuvend, si drejtor të përgjithshëm të Lotarisë së Maqedonisë”, theksoi Izet Mexhiti, LD (LEN).
Mexhiti zotohet se partia e tij do të dallojë nga BDI, ndërsa sa i përket koalicionit “Lidhja Europiane për Ndryshim” sipas tij për herë të parë opozita larg zgjedhjeve është bërë bashkë mbi bazë të principeve, programit dhe prioriteteve për të ofruar perspektivë të re për shqiptarët.
