Sot është dita e tretë që autobusët e kompanisë private “Makekspres” nuk qarkullojnë në kryeqytet, për shkak se siç thonë, kanë mungesë të mjeteve për vazhdimin e punës, sepse Ndërmarrja e Qarkullimit Publik ka rreth 3 muaj që nuk ua ka paguar borxhin.
Në vend që këta autobusë të bënin punën e tyre duke lëvizur lirshëm nëpër qytet, për momentin këta janë të parkuar këtu për shkak se NQP ju ka borxh shoferëve të autobusëve.
Uzejr Ahmeti, anëtarë i Këshillit të “Makekspres” shprehet se punëtorët janë detyruar që me paratë e tyre t’i furnizojnë autobusët me naftë.
“Nuk do të punohet deri sa t’i lëshojnë paratë. Kanë borxh për 3 muaj, muaji gusht, shtator dhe tetori. Gushti është afër 8 milionë e gjysmë denarë, shtatori 12 milionë denarë dhe avanset javore që na i japin, kanë 4 avanse pa i dhënë. Për momentin kemi borxhe edhe nëpër pompa të benzinës, kemi borxhe edhe nëpër shoqëri.”- deklaroi Uzejr Ahmeti, anëtarë i këshillit të “Makespres”
TV21 pyeti Ndërmarrjen Qarkulluese se çfarë do të ndodhë me këto linja publiko-private të autobusëve, nga ku na thanë se nuk do të lejojnë që qytetarët të mbeten pa transport publik.
“NQP Shkup ka borxh rreth 20 milionë denarë ndaj “Makekspres”, borxh që është “trashëguar” nga udhëheqësia e mëparshme dhe nuk është rritur. Udhëheqësia aktuale në ndërkohë po paguan obligimet. Përndryshe, NQP Shkup nuk do të lejojë që shkupjanët të mbeten pa transport në linjat që shërben “Makekspres”, kemi lëshuar automjetet tona në linjat që ka i ka “huazuar” kompania private.”- thonë nga NQP – SHKUP.
Kërkuam përgjigje edhe nga Qyteti i Shkupit, se a do e zgjedhin këtë problem për ta paguar borxhin ndaj kësaj kompanisë private, por nuk morëm përgjigje. Linjat publiko-private të cilat nuk punojnë momentalisht janë me numër 12, 19, 22, 52, 54, të cilat i përkasin kompanisë private “Makekspres”. Punëtorët shprehen se nuk kanë ndërmend të fillojnë me punë derisa t’ua lëshojnë të hollat!
