Dita e 7-të luftimeve në Ukrainë. Një javë që kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës. Agresioni nuk ka të ndalur.
Këto pamje janë shpërndarë mbrëmë vonë nga bombardimi i qytetit Harkiv, i dytë për nga madhësia pas Kievit.
Në mëngjes Harkivi dukej kështu.
Guvernatori rjaonal, Oleg Sinegubov, kumtoi se në 24 orët e fundit në këtë qytet jetën e kanë humbur së paku 21 persona, ndërsa 112 janë plagosur. Autoritetet lokale kumtuan se sulmet raketore ruse e goditën qendrën e qytetit të dytë më të madh në Ukrainë, përfshirë edhe rajone banimi dhe ndërtesën e administratës rajonale.
Këto pamje të publikuara nga Ministria e Brendshme ukrainase tregojnë pasojat nga bombardimet në qytetin Zhytomyr të Ukrainës. Diplomati ukrainas, Olexandar Scherba, ka shkruan se është bombarduar një pjesë e banueshme me civilë. Sipas autoriteteve, të paktën 2 persona kanë humbur jetën dhe 3 janë plagosur. Shumë të tjerë dyshohet se janë ende nën rrënoja. 10 pallate janë dëmtuar, 3 prej të cilave kanë marrë flakë.
Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski, në ditën e shtatë të pushtimit rus mbi vendin e tij tha se Kremlini nuk do të mund ta marrë vendin e tij me bomba dhe sulme ajrore.
“Ata nuk dinë asgjë për Kievin, për historinë tonë. Por, të gjithë kanë urdhër ta fshijnë historinë tonë, ta fshijnë vendin tonë, të na fshijnë të gjithë ne. Mbrëmë dhe sonte ata vazhduan me bombardimin e qyteteve tona. Boma, raketa artileri duke i shënjestruar sërish njerëzit paqësorë, duke i targetuar hapësirat rezidenciale sërish, Mariupol, Harkiv, Kiev, Zhytomyr dhe vende të tjera të Ukrainës”, tha Zelenski.
Ministria ruse e Mbrojtjes kumtoi se ushtarët rusë e kanë ndërmarrë qytetin Herson në Ukrainën jugore. Megjithatë, Ministria ukrainase e Mbrojtjes ka mohuar informatat se qyteti jugor Herson ka rënë në duart e rusëve.
Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjeneral-majori, Igor Konashenkov, kumtoi sot se me armë precize i goditën objektet e Shërbimit ukrainas për siguri dhe Qendrën e 72-të për operacione informative-psikologjike në Kiev.
Qendra ukrainase qeveritare për komunikim strategjik dhe informacione në Tuiter informoi se që nga fillimi i invazionit rus, Rusia drejt Ukrainës i ka gjuajtur 113 raketa, duke përfshirë edhe Iskander. “Granatimi i qyteteve ukrainase dhe të shtënat ndaj civilëve duhet të dënohen nga të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare”, potencon Qendra.
