Edhe pse gjendja e romëve në vend dhe përfshirja e tyre në jetën shoqërore është përmirësuar, megjithatë kjo bashkësi etnike edhe më tej ballafaqohet me probleme, kryesisht ekzistenciale dhe një pjesë e madhe prej tyre ende janë të lënë pas dore. Saud Skenderi nga Instituti “Romalitiko” thotë se edhe pse nuk mund të thuhet se në tërësi është çrrënjosur diskriminimi dhe paragjykimet, duhet theksuar se ka avancim në statusin e tyre në shtet.
“Nëse paraprakisht ishte problem që të shihni një rom që është i punësuar në sektorin e biznesit, tani mund të shihni gjithnjë e më shpesh romë në markete. Para 15 vjetëve kjo ishte vetëm një ide i paramenduar, diçka që deshëm ta shihnim si ndryshim, mund të vazhdoj të flas edhe për sektorin e shëndetësisë por edhe për tema të tjera.”- deklaroi Suad Skenderi, Institut Romalitiko.
Ajo që mbetet si pikë e dobët janë fëmijët romë që lypin në rrugë, në vend që të jenë në shkollë ose institucionet e tjera arsimore. A bisedohet me pushtetin për zgjidhjen e këtij problemi?
“Po, është e saktë, ekziston ky fenomen, përkatësisht ka fëmijë që lypin në rrugë, po, ka familje të varfra, këtë mund ta gjeni në çdo bashkësi tjetër etnike, dallimi qëndron atje që imazhin e parë që e keni për romët, janë fëmijë që lypin në rrugë dhe te semaforët. Nuk mund të them se shteti bën mjaftueshëm, por mund të them se për momentin shteti më së shumti angazhohet për fëmijët në rrugë dhe të pastrehët, për strehimin e tyre.”- tha Suad Skenderi, Institut Romalitiko.
Sot shënohet 8 prilli, Dita ndërkombëtare e romëve, kushtuar historisë dhe kulturës së kësaj bashkësie.
