Tetëmbëdhjetëvjeçari Mevludin shet arra në Bit Pazar të Shkupit. Ai është i vetmi anëtar i familjes që punon. Ai merr zanat për instalim të ujësjellësit, por po ashtu është i detyruar të dalë dhe të punojë për ta mbajtur familjen. Mevludini është i revoltuar, sepse në çdo derë që ka trokitur për punë, ka qenë i refuzuar. Ai thotë se në qoftë se nuk je i lidhur me ndonjë parti, nuk mund të gjesh asnjë punë.
“Prej dymbëdhjetë vjet kam filluar të punoj, por nuk ka punë. Shkollën e mesme e kam kryer, tash jam në fakultet. Shumë e kam rëndë, shumë vështirë. Ndonjëherë nuk shkoj në ligjërata, por punoj. Qe sa vite shkoj në shkollë, por punë nuk ka. Kam kërkuar qe sa vite, por nuk ka, s’ka. Nuk më pranojnë, se krejt me parti, nëse je në parti dhe jep pare pak, atëherë mundesh, por unë ku të gjej të holla? 200 denarë i marr, për bukë e cigare”, tregon Mevludin Durmishi.
Nga ana tjetër, punëtori Isni Islami është i zhgënjyer, sepse pas 30 vitesh është i dëbuar nga puna, kurse ka një vit e gjysmë që punon si punëtor krahu. Ai thotë se një ditë mund të gjejë punë, por fëmijët kërkojnë bukë. “Kam punuar punë të shtetit 30 vjet, por më kanë përjashtuar nga puna. Tash punoj punë private, për 500 denarë për 300 denarë. Punë tjetër s’kam, shtetit nuk i intereson. Tash vetëm lajmërohem në byro, por nuk më kanë thirrur ka një vjet e gjysmë. Shkova të nxjerr ndihmë sociale, por më thanë se kam një të punësuar, nuk mundet. Duhet ta paguajmë ujin, rrymën, me 500 denarë si ta paguaj? Situata është katastrofë, ata thonë që punësojnë, por nuk punësojnë hiç”, thotë Islami.
7 tetori është Dita Botërore e Punës së Denjë. Kjo ditë është pranuar edhe nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Kryetari i Lidhjes së Sindikatave, Zhivko Mitrevski, tha se sindikata që drejton ai përpiqet të marrë përvojat ndërkombëtare për të avancuar të drejtat e punëtorëve në vend. “Lidhja Sindikatave të Maqedonisë është para sfidave të mëdha në sigurimin e punës së denjë, duke ndjekur përvojat e sindikatave evropiane dhe botërore dhe duke përkrahur të gjithë aktivitetet, avancimin dhe realizimin e të drejtave dhe interesave të punëtorëve dhe për të siguruar punë të denjë të për të gjithë” theksoi Mitrevski.
Sipas të dhënave të Konfederatës Botërore të Sindikatave, 24% prej njerëzve duan siguri të plotë dhe avancim në të drejtat e punëtorëve si bazë e tregtisë globale. Ndërsa, 88% e punëtoreve janë të kënaqur me pagat minimale.
Arbana Qerimi
