DITA E PARË E REGJISTRIMIT NË SHKOLLA TË MESME, SEMI-MATURANTËT ZGJEDHIN DREJTIMET

TË FUNDIT

Me stilografë dhe dokumente në duar, të shoqëruar nga njëri prind,  semi-maturantët ia kanë mësyrë objekteve të shkollave të mesme për tu regjistruar në drejtimin që ata pëlqejnë. Sot është dita e parë e regjistrimit, ndërsa Tv21 vizitoi shkollën e mesme të qytetit të Shkupit “Zef Lush Marku”. Numri i nxënësve që donin të regjistroheshin rritej nga çasti në çast.

“Kam vendos që të regjistrohem në shkollën Zef Lush Marku, drejtime të përgjithshme sepse kjo shkollë më pëlqen, si ç’do njeri tjetër dhe shpresoj që ka me ja arrit qëllimit”, tha një nxënës.

“Gjimnaz i përgjithshëm, mendoj të bëhem një arsimtar i mirë”, tha një tjetër nxënës.

“Matematiko-natyror sepse ka hyrje çka dua me vazhduar në fakultet, informatikë”, shtoi një tjetër nxënës.

Drejtori i kësaj shkolle Faruk Zeqiri tha se sipas konkursit të MASH, në shkollën e mesme Zef Lush Marku, parashihet që në vitin shkollor akademik, 2019/20 do të pranohen 544 nxënës.

“Ekzistojnë gjashtë drejtime në shkollën tonë, drejtimi, matematiko-natyror, kombinimi a-b. Shoqëroro-humanitar, a-b. Gjuhësorë-artistik, kombinimi a-b. Interesimi është jashtë-zakonisht i madh për tu regjistruar në shkollën e mesme Zef Lush Marku, numrin e saktë ende nuk e dimë për shkak se është në rrjedhë regjistrimi. Nesër pas mbarimit të ditës së dytë të regjistrimit do ta dimë numrin e saktë të konkurruesve”, deklaroi drejtori i SH.M.Q.SH “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri.

Zeqiri shtoi se kusht për tu regjistruar në shkollën e mesme Zef Lush Marku nxënësit duhet të jenë me sukses të lartë.

Konkursi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ka paraparë që gjatë dy ditëve në shkolla të mesme të regjistrohen gjithsej, 35.690 nxënës prej të cilëve 24.581 në gjuhën maqedonase, 10.123 në gjuhën shqipe, 952 në gjuhën turke dhe 34 në gjuhën serbe. Nga numri i përgjithshëm parashihet që në gjimnaz të ketë 10.713 vende të lira kurse në drejtimet profesionale katër vjeçare të ketë 18.365 vende të lira. Për drejtime profesionale trevjeçare janë 5490 vende të lira dhe për arsim të mesëm profesional dy vjeçar janë 408 vende të lira.

Ndryshe, regjistrimi për në shkolla të mesme ka filluar në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe do të zgjasë edhe gjatë ditës së nesërme.

Përgatiti: Mevludin Imeri