Dita e e dytë e debatit për Ligjin për Marrëdhënie Pune, akuza të opozitës dhe kundërpërgjigje nga pushteti

TË FUNDIT

Dita e dytë e debatit në Komision për Ligjin për marrëdhënie pune që është një prej 5 ligjeve që nevojiten për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D. Opozita edhe më tej me akuza se ndryshimet e këtij ligji janë antikushtetuese edhe përkundër vërejtjeve të Zyrës së BE-së se po keqpërdoret flamuri europian. Toni Jarevski nga VMRO-DPMNE tha se i gjithë ky projekt është vjedhje historike, ndërsa marrëveshja është e dëmshme për shtetin.

“Është një gënjeshtër famëkeqe se sjellja e këtyre ligjeve do ta bënte ndërtimin më të shkurtër dhe më të lirë. Përkundrazi, kjo është një përpjekje edhe atë e dëshpëruar për të parandaluar kostot shtesë, sepse keni kontratë të keqe. Sepse ndoshta dikush as nuk e ka lexuar kontratën dhe e ka firmosur. Epo, kur e panë, tani do të improvizojnë. Dhe pikërisht për këtë është improvizimi, sepse dikush nuk mendonte për shtetin, por për urdhrat e Artan Grubit dhe Kovaçevskit”, tha Toni Jarevskki,  VMRO-DPMNE.

Nga pushteti thonë se opozita është destruktive, ndërsa flamuri europian i vendosur te këto ligje është i patjetërsueshëm për t’u tejkaluar bllokadat që i bëjnë deputetët e opozitës. Kemi mundësi historike për 4 vjet e 7 muaj të ndërtojmë korridore që janë shumë të rëndësishme për shtetin, theksoi Martin Kostovski nga LSDM.

“Kemi mundësi historike për 4 vjet e 7 muaj të kemi 110 km autostradë. Për 31 vite në këtë shtet janë ndërtuar 180 km, nëse kjo nuk është histori atëherë nuk e di çfarë është histori. Nuk mund ta kuptoj, gjithçka ju pengon. Po ju pengon edhe kjo procedurë. Dhe çfarë duhet të bëjmë, të bëhemi robër? Të ju shikojmë si luani me opinionin dhe historinë e këtij shteti?”, pohoi Martin Kosotovski, LSMD.

Lidhur me ndryshimet në ligjin për marrëdhënie pune, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka përcjellë reagimin e Konfederatës Botërore të Sindikatave, e cila vlerëson se zgjatja e orarit të punës do të rrisë edhe rrezikun nga aksidentet e punëtorëve.

“Sindikatat shqetësohen se ndryshimet do të rrisin rrezikun e aksidenteve, lëndimeve dhe vdekjeve në punë dhe më pas do të rrezikojnë aplikimin e Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në BE, pasi propozimet bien ndesh me direktivat e BE-së për orarin e  punës”, thonë nga Konfederata Botërore e Sindikatave.

Pas kësaj dite të dytë të debatit të komisionit për ndryshimet në Ligjin për Marrëdhënie Pune,  javën e ardhshme pritet të zhvillohet debati për ligjet e tjera, ku për secilin ligj debati do të zgjasë dy ditë. Pas kësaj ligjet do të kalojnë në seancë plenare për miratim.