Dita e dytë e protestave të administratës, nuk ka ftesë nga Qeveria për bisedime!

TË FUNDIT


Edhe sot administratorët për dy orë braktisën vendet e tyre të punës. Kjo është dita e dytë e protestave paralajmëruese të administratës shtetërore të cilët kërkojnë rritjen dhe harmonizimin e pagës me atë minimale.

Kryetari i Sindikatës së AOGJSHQ Tërpe Deanoski tha se kërkesat e tyre janë të qarta dhe se deri më tani nuk kanë ftesë nga Qeveria për takim. Sipas tij deklaratat e Qeverisë se me rritjen e pagave do të rritet inflacioni, nuk janë të vërteta sepse inflacioni tashmë ka filluar të rritet.

“Duhet Qeveria të na bëjë thirrje të gjithë Sindikatave të përfshirë në tryezë që ta zgjedhim problemin. Ne gjatë periudhës së ardhshme do ta presim pikërisht këtë edhe në të kaluarën kemi dërguar kërkesë ku nuk morëm përgjigje mendoj se kërkesë më të madhe se në këto dy ditë proteste nuk ka. Do të presim siç thash nëse nuk marrim ftesë, nëse nuk zgjidhet çështja do të konsultohemi me anëtarësinë tonë se si do të funksionojmë”.

Deanoski vlerësoi se dalja në protestë ishte e mjaftueshme edhe përkundrejt presioneve që kishin gjatë ditës së djeshme.
Kryetari i LSM-së, Darko Dimovski tha se sot u zgjuam me shportën e re të konsumit minimal sindikal të rritur për 920 denarë, e cila siç tha ai, aktualisht është 36.687 denarë, ndërsa në janar ishte 35.811 denarë.

“Kjo tregon qartë se është e nevojshme që një rritje lineare e të gjitha pagave të ndodhë sa më shpejt, siç kërkojmë nga SSM, në mënyrë që asnjë punëtor të mos privohet nga e drejta. Edhe pse marzhet e produkteve bazë janë të kufizuara, shporta e konsumatorit sindikal me të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave na tregon krejt të kundërtën”.

Ndryshe sipas Izabela Ilieva, kryetare e Organizatës Sindikale në Prokurorinë Publike nuk po kërkohet rritje e pagave, por harmonizimi me minimalen e cila e cila është 18 mijë denarë. Sipas saj nëse nuk ka ndryshim kjo do të thotë se do të barazohen të ardhurat e të gjithë punëtorëve, nga pastruesi deri te menaxhuesi , gjë që është e gabuar.